Kosova ka shpallur si person të padëshiruar spiunen e inteligjencës ushtarake ruse, Daria Aslamova, e cila u ndalua mbrëmjen e djeshme në pikën kufitare të veriut.
Lajmin e ka bërë me dije ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, i cili njofton se Aslamova i ndalohet hyrja në territorin e Rupublikës së Kosovës për 5 vjet. Ai shton më tej se kushdo që dëshiron destabilizimin e vendit do të përballem me forcën e ligjit.
"Si Ministër i Punëve të Brendshme, brenda kompetencave të mia ligjore, bazuar në Ligjin për të Huaj, Nenet 17 dhe 66 A, kam shpallur person të padëshirueshëm në Republikën e Kosovës Daria Asmalovan. Hyrja e këtij personi është e ndaluar për pesë vite në territorin e Republikës së Kosovës. Kushdo që me qëllime apo direktiva të caktuara cënon apo tenton të destabilizojë vendin tonë, do të përballet pa diskutim me forcën e ligjeve të Republikës së Kosovës." shkruan Xhelal Sveçla.
Daria Aslamova akuzohet se ka qenë e angazhuar në spiunazh për inteligjencën ushtarake ruse dhe se ka vepruar në petkun e gazetares.
Një ditë më parë, ministri Sveçla deklaroi se ajo ka marrë pjesë edhe në luftimet në Ukrainë duke propaganduar mbi pushtimin rus ndaj Ukrainës.
Vetëm disa orë para se të provonte ta kalonte kufirin në Veri të Kosovës, Daria Aslamova ishte takuar me një prift ortodoks në Beograd. Takimin e saj e kishte postuar në rrjetet saociale ku shkruante se nuk i frikësohej betejës.
“Qetësohesh në shpirt kur bekohesh nga peshkopi i Beogradit, Stefan Remesian, Vikar i Dioqezës së Beogradit. Njeri i egër, luftëtar i Krishtit. Pas këtij bekimi që mora, nuk frikësohem të shkoj në betejë”, shkruan spiunia ruse krahas fotos me priftin serb.