Kosova ka ndaluar në hyrje të territorit të saj, Daria Aslamova, e cila nga shumë shtete është vërtetuar se ka qenë e angazhuar në spiunazh për inteligjencën ushtarake ruse, duke u fshehur edhe nën profesionin e gazetares.
Ky lajm është bërë i ditur nga ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili me anë të një postimi në rrjetet sociale shkruan se Aslamova ka marrë pjesë edhe në luftimet në Ukrainë duke propaganduar mbi pushtimin rus ndaj Ukrainës.
“Autoritetet e Republikës së Kosovës kanë qenë në dijeni për veprimtarinë e saj por edhe se në disa shtete ajo e ka të ndaluar të hyjë për shkak të veprimtarisë së saj. Me këtë rast, ajo është ndaluar dhe po vazhdon angazhimi i aktorëve përkatës deri në zbardhje të qëllimeve të saj”, shkroi ministri në Facebook.
Ministri shton se tentimi i Aslamovas për të hyrë në Kosovë përveç që përkon me zhvillimet në veri të vendit, “i dëshmon qartë lidhjet dhe propagandën ruse të cilës i është bashkuar tashmë Serbia dhe që kanë për qëllim destabilizimin e vendit tonë”.