Koreja e Veriut lëshon 5 raketa balistike drejt detit

20 Prill 2026, 08:24Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Koreja e Veriut ka lëshuar 5 raketa balistike drejt detit pranë bregut të saj lindor, sipas Koresë së Jugut dhe Japonisë. Incidenti i së dielës shënoi lëshimin e shtatë të raketës balistike nga Koreja e Veriut këtë vit dhe të katërtin në prill.

Raketat u lëshun pranë qytetit Sinpo në bregun lindor të Koresë së Veriut rreth orës 6:10 të mëngjesit të së dielës, tha ushtria e Koresë së Jugut në një deklaratë. Ajo shtoi se Koreja e Jugut kishte forcuar qëndrimin e saj të mbikëqyrjes dhe po shkëmbente ngushtë informacione me Shtetet e Bashkuara dhe Japoninë.

Qeveria e Japonisë postoi në mediat sociale se besohet se raketat balistike kanë rënë pranë bregut lindor të Gadishullit Korean. Nuk u konfirmua asnjë ndërhyrje në zonën ekskluzive ekonomike të Japonisë.

Zyra presidenciale e Koresë së Jugut tha se ka mbajtur një takim urgjent për sigurinë, sipas raportimeve të medias.

Teste të tilla shkelin rezolutat e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara kundër programit të raketave të Koresë së Veriut. Vendi i izoluar e hedh poshtë ndalimin e OKB-së dhe thotë se kjo shkel të drejtën e tij sovrane për vetëmbrojtje.

Lëshimet vijnë ndërsa Kina dhe SHBA-të përgatiten për një samit në mesin e majit, në të cilin presidenti kinez Xi Jinping dhe homologu i tij amerikan, Donald Trump, pritet të diskutojnë për Korenë e Veriut.

Koreja e Veriut ka bërë përparime “shumë serioze” në aftësinë e saj për të prodhuar armë bërthamore, me shtimin e mundshëm të një impianti të ri të pasurimit të uraniumit, tha të mërkurën shefi i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, Rafael Grossi.

Në fund të muajit të kaluar, udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong Un tha se statusi i vendit të tij si një shtet i armatosur bërthamor ishte i pakthyeshëm dhe se zgjerimi i një “force bërthamore vetëmbrojtëse” ishte thelbësor për sigurinë kombëtare.


Video