Kombet e Bashkuara: Dyshohet mbi 20,000 të vdekur nga përmbytjet në Libi, 2 mijë trupa janë ende në det

14 Shtator 2023, 17:55Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Qyteti Derna i prekur nga përmbytjet

Organizata e Kombeve të Bashkuara thotë se ekziston frika që numri i viktimave nga përmbytjet në Libi t’i kalojë 20 mijë.

Aktualisht mbi 5 mijë viktima janë konfirmuar, ndërsa 2 mijë trupa të pajetë ndodhen ende në det, pasi u rrëmbyen nga përmbytjet masive, duke kapur në befasi banorët kryesisht në qytetin Derna.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka njoftuar lëshimin e 2 milionë dollarëve nga fondi i saj i emergjencës për të prekurit në Libi.

Kreu i organizatës, Tedros Adhanom Ghebreyesus, njoftoi gjithashtu se “28 tonë furnizime kirurgjikale dhe urgjente do të mbërrijnë nesër në qendrën logjistike të ngritur në Dubai”.

Kombet e Bashkuara kanë kërkuar të mblidhet menjëherë një fond prej 71.4 milionë dollarë. Sipas OKB-së, 884,000 persona janë prekur direkt nga përmbytjet, ndërsa janë dëmtuar 2,200 ndërtesa.

Video