Kamala Harris humb mbrojtjen e Shërbimit Sekret, pse Trump vendosi tani?

29 August 2025, 23:17Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Kamala Harris humb mbrojtjen e Shërbimit Sekret, pse Trump vendosi tani?
Kamala Harris

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka anuluar mbrojtjen e Shërbimit Sekret për ish-zv.presidenten Kamala Harris, vetëm shtatë muaj pas largimit të saj nga detyra dhe pas fushatës së dështuar presidenciale.

Sipas ligjit amerikan, ish-zv.presidentët dhe familjet e tyre gëzojnë mbrojtje për gjashtë muaj pas largimit nga detyra. Mandati mund të zgjatet, dhe kjo ndodhi me Harris, pasi ish-presidenti Joe Biden kishte urdhëruar një vit shtesë mbrojtjeje para se të largohej nga Shtëpia e Bardhë.

Ky vendim ka ndezur polemika.

Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, dhe kryetarja e bashkisë së Los Angeles, Karen Bass, e kanë cilësuar hapin e Trump politikisht të motivuar. Ndërkohë, ekspertët theksojnë se në aspekt ligjor presidenti ka të drejtën ta bëjë një veprim të tillë.

Harris, si gruaja e parë dhe personi i parë me ngjyrë që ka shërbyer si zv.presidente e SHBA-ve, ka qenë shpesh në shënjestër të kërcënimeve. Në vitet 2021-2024, disa persona u arrestuan për kërcënime online, mes tyre edhe një burrë nga Florida që u kap pasi kishte planifikuar ta qëllonte me snajper. Megjithatë, një vlerësim i fundit i kërcënimeve nuk gjeti asgjë alarmuese për të justifikuar mbrojtje të zgjatur.

Eksperti i Shërbimit Sekret, Ronald Kessler, tha për BBC se “duke lënë mënjanë implikimet politike, ky është një vendim i zakonshëm” dhe se agjencia po përballet me mungesë personeli për shkak të detyrave të shumta, përfshirë edhe Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në shtator.

Heqja e mbrojtjes vjen disa javë para se Harris të nisë turneun kombëtar për librin e saj të ri “107 Days”, që përshkruan fushatën e saj të shkurtër presidenciale.

Ndërkohë, krahas Harris, Trump ka hequr mbrojtjen edhe për figura të tjera, përfshirë Hunter dhe Ashley Biden, si dhe ish-zyrtarë të administratave të mëparshme, mes tyre Mike Pompeo dhe John Bolton.

Në SHBA, ish-presidentët gëzojnë mbrojtje të përjetshme nga Shërbimi Sekret, përveç rasteve kur heqin dorë vetë prej saj. Richard Nixon është i vetmi president që e ka refuzuar mbrojtjen, në vitin 1985./BBC News


Video