Kallas: Tarifat amerikane, të pabaza. Kushtet e punës në BE, shumë më të mira se në SHBA

24 July 2026, 11:16Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Kallas: Tarifat amerikane, të pabaza. Kushtet e punës në BE,

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Europian, Kaja Kallas i quajti të pabaza tarifat e reja të vendosura nga Shtetet e Bashkuara ndaj Unionit, për shkak të mangësive në kontrollet e punës së detyruar.

Kallas tha se kushtet dhe ligjet e punës në Bashkimin Europian janë shumë më të mira se ato në Shtetet e Bashkuara.

“Më vjen keq, por nuk mund ta përdorësh këtë argument për Bashkimin Evropian. Nëse krahasoni ligjet tona të punës me ato të Shteteve të Bashkuara, ne kemi pushime të paguara, kemi kushte shumë të mira pune për punonjësit tanë, kështu që nuk është vërtet e bazuar. Ne patëm një marrëveshje me Amerikën dhe e kemi respektuar”, tha Kallas.

Kallas tha se Bashkimi Europian nuk e priste vendosjen e tarifave të reja nga administrata e presidentit Trump dhe do të kërkojë sqarime nga Uashingtoni për këto masa.

Kryediplomatja e bllokut foli edhe për paketën e fundit të sanksioneve të Bashkimit Evropian kundër Rusisë, e cila sipas saj ka për qëllim të ushtrojë më shumë presion mbi Moskën dhe të kufizojë aftësinë e saj për të financuar luftën në Ukrainë.

“Kjo paket është për t’i penguar ata që ta financojnë këtë luftë. Ne gjithashtu shohim se për shkak të sanksioneve, Rusia nuk mund të mbledhë kapital jashtë vendit. Po shqyrtojmë se çfarë mund të bëjmë më shumë për të ushtruar presion mbi Rusinë që të ulet në tryezën e negociatave dhe të negociojë me Ukrainën”, tha Kallas.

Bashkimi Evropian miratoi paketën e 21-të të sanksioneve kundër Rusisë dhe vendosi kufizime në sektorin bankar të vendit dhe rrjetet e kriptomonedhave.


Video