Nga sulmi tragjik që ndodhi të martën në një shkollë në qytetin Vanta të Finlandës ka mbetur i plagosur edhe një fëmijë nga Kosova, njofton Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës.
Ministria e Punëve të Jashtme nuk ka dhënë detaje mbi gjendjen e saj shëndetësore ndërsa ka potencuar se për rastin është njoftuar nga Ambasada e Kosovës në Suedi.
“Në lidhje me ngjarjen tragjike që ndodhi sot në qytetin Vanta, respektivisht shkollën Viertola, ku u vra një person dhe dy të tjerë u plagosën, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës nëpërmjet Ambasadës së Republikës së Kosovës në Stokholm ka arritur që të konfirmojë nga familjarët se në mesin e të plagosurve është edhe një vajzë shqiptare nga Kosova”, njoftoi MPJ e Kosovës.
Një fëmijë mbeti e vdekur dhe dy të tjerë u plagosën rëndë nga të shtënat në një shkollë në Finlandë, njoftoi policia vendase.
Autoritete finlandeze thanë se të tre viktimat ishin 12 vjeç dhe se një i dyshuar, po ashtu 12 vjeç, ishte arrestuar.