Hakmarrja amerikane, SHBA sulmon baza të përdorura nga Irani në Siri

27 October 2023, 20:47Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Hakmarrja amerikane, SHBA sulmon baza të përdorura nga Irani në
Hakmarrja amerikane, SHBA sulmon baza të përdorura nga Irani në Siri

Frika për përhapjen e konfliktit Izrael-Hamas u shtua edhe më shumë të enjten, kur Shtetet e Bashkuara njoftuan se kishin ndërmarrë sulme në Siri.

Pentagoni deklaroi se sulmet ajrore shënjestruan dy depo armësh dhe municionesh të përdorura nga Garda Revolucionare e Iranit.   

Megjithatë, Sekretari i Mbrojtjes, Lloyd Austin u kujdes të theksonte se bombardimet nuk kishin lidhje me luftën, por ishin një kundërpërgjigje ndaj sulmeve të fundit të milicive të mbështetura nga Irani, ndaj bazave amerikane në Siri dhe Irak.

“Irani kërkon të fshehë dorën dhe të mohojë rolin e tij në këto sulme kundër forcave tona. Ne nuk do t’i lejojmë dhe nëse sulmet nga aleatët e Iranit kundër forcave amerikane do të vazhdojmë, nuk do të hezitojmë të marrim masa të mëtejshme për të mbrojtur qytetarët tanë”, u shpreh Austin.

Siç bëhet e ditur, trupat e Shteteve të Bashkuara dhe të koalicionit janë sulmuar të paktën 12 herë në Irak dhe 4 herë në Siri që prej shpërthimit të konfliktit mes Izraelit dhe Hamasit dhe një total prej 21 pjesëtarësh të stafit kanë marrë plagë të lehta.

Megjithëse SHBA nuk e ka akuzuar Iranin se ka një rol të drejtpërdrejtë në sulmin e 7 tetorit ndaj Izraelit nga militantët e Hamasit, ajo ka vënë në dukje se Irani e ka mbështetur prej kohësh grupin terrorist.

Po kështu, zyrtarët iranianë kanë kritikuar hapur SHBA-në për faktin se i kanë siguruar Izraelit armë që janë përdorur për të goditur Gazën.

Shtëpia e Bardhë njoftoi të enjten se presidenti amerikan, Joe Biden, i kishte përcjellë një paralajmërim të fortë dhe të rrallë liderit supreme të Iranit, Ajatollahut Ali Khamenei.

Sakaq, gjatë asamblesë së përgjithshme të OKB-së në Nju-Jork, ministri i Jashtëm i Teheranit paralajmëroi se Uashingtoni nuk do të kursehej nga zjarri që ka përshirë rajonin nëse dhuna në Gaza vazhdon. SHBA-ja ka dërguar luftanije dhe të enjten njoftuan se po zhvendosnin edhe 900 trupa në rajon.


Video