Grabiten katër piktura “të jashtëzakonshme” të Rilindjes në Siçili

17 Gusht 2026, 22:32Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Grabiten katër piktura “të jashtëzakonshme” të Rilindjes në Siçili

Katër vepra të rëndësishme të piktorit italian të Rilindjes, Antonello da Messina, janë vjedhur nga Muzeu Rajonal i Mesinës, në qytetin e lindjes së artistit. Grabitësit hynë në muze gjatë natës së të shtunës, ndërsa qyteti festonte Ditën e Zojës së Ngjitur në Qiell.

Ministri italian i Kulturës ka deklaruar se katër piktura të Rilindjes janë me “vlerë të jashtëzakonshme”.

Ata morën tre nga pesë panelet e “Poliptikut të Shën Gregorit”, një nga veprat më të rëndësishme të Messina-s. Dy panelet e tjera u gjetën të braktisura jashtë perimetrit të muzeut.

Grabitësit morën gjithashtu një pikturë të vogël dyanëshe, që paraqet Virgjëreshën me Krishtin fëmijë dhe një murg françeskan në njërën anë, ndërsa Krishtin në anën tjetër. Vepra ndodhej në një vitrinë të siguruar.

Drejtorja e muzeut, Marisa Mercurio, tha se alarmi dhe sistemet e sigurisë ishin në funksion dhe rojet ishin në detyrë në momentin e grabitjes.

Këshilltari i Bashkisë së Mesinës për Kulturën, Enzo Caruso, tha se qyteti është “i tronditur” dhe hodhi dyshimin se bëhet fjalë për një vjedhje të porositur.

Në fillim të këtij viti, shteti italian ndërhyri përpara një ankandi të Sotheby’s dhe bleu për rreth 15 milionë euro veprën e tij të famshme “Ecce Homo”, e cila fillimisht ishte planifikuar të dilte në shitje. Ndaj Caruso thotë se kjo mund të ketë tërhequr vëmendjen e grabitësve të artit.

Policia po heton ngjarjen dhe po përpiqet të identifikojë autorët.

Antonello da Messina, i lindur rreth vitit 1430, konsiderohet një nga piktorët më të rëndësishëm të Rilindjes italiane.

Incidenti është i fundit në një seri grabitjesh në muzeume në të gjithë Europën, të cilat kanë bërë që një numër gjithnjë e më i madh veprash të paçmueshme të zhduken nga ekspozimi publik.


Video