Trupat e dy alpinistëve belgë, të cilët ishin zhdukur në Alpet Zvicerane 34 vjet më parë, janë gjetur në akullnajën Trift, e cila po shkrihet; këtë e bëri të ditur policia të mërkurën, shkruan Euronews.
Një alpinist i gjeti mbetjet më 26 korrik në akullnajën në Zvicrën jugore, pranë kufirit italian, sipas policisë së kantonit të Valais-it.
Mbetjet u dërguan në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Spitalin Wallis në Sion për identifikim.
“Një krahasim i drejtpërdrejtë i profileve të ADN-së ka konfirmuar zyrtarisht se bëhet fjalë për dy alpinistë që ishin zhdukur në rajonin e Weissmies-it në vitin 1992,” thuhej në deklaratë.
Më 4 shtator 1992, dy burra u nisën nga streha “Weissmies” me qëllim ngjitjen në majën e Weissmies (4.017 metra) dhe arritën deri te streha “Almagell”.
Të kapur në befasi nga moti tejet i keq, ata nuk arritën kurrë në destinacionin e tyre.
Në muajt që pasuan, u kryen disa operacione kërkimi, të cilat çuan në gjetjen e një çante shpine, por jo të vetë alpinistëve.
Policia e kantonit Wallis mban regjistra të personave të raportuar si të zhdukur që nga viti 1925, kryesisht në zona malore dhe lumenj.
Ndërsa ndryshimet klimatike përshpejtojnë shkrirjen e akullnajave, tërheqja e akullit ka nxjerrë gjithnjë e më shpesh në pah mbetjet e alpinistëve që ishin zhdukur vite apo edhe dekada më parë.
Vitin e kaluar, në një akullnajë të malit Ober Gabelhorn gjithashtu në Wallis u gjetën mbetjet e një alpinisti zviceran që ishte zhdukur në vitin 1994.