FBI-ja ushtroi kontroll në shtëpinë në Maryland të John Bolton, i cili ka shërbyer në administratën e parë të presidentit Donald Trump si këshilltar për sigurinë kombëtare, por më pas u bë kritik ndaj tij.
Kontrolli lidhet me një hetim mbi trajtimin e dokumenteve të klasifikuara, tha një person i njohur me çështjen për Associated Press të premten.
Sipas burimit, i cili foli me kushtin e anonimatit, Bolton nuk është ndaluar dhe nuk është akuzuar për ndonjë krim.
Bolton ka shërbyer si këshilltar i tretë për sigurinë kombëtare i Trump për 17 muaj dhe është përplasur me të për çështje që lidhen me Iranin, Afganistanin dhe Korenë e Veriut.
Ai ishte nën vëzhgim gjatë administratës së parë të Trump për një libër që shkroi mbi kohën e tij në qeveri, për të cilin zyrtarët pretenduan se zbulonte informacion të klasifikuar.
Megjithatë, në vitin 2021 Departamenti i Drejtësisë e hodhi poshtë padinë dhe mbylli një hetim të veçantë nga një juri e madhe.
Në ditën e parë të mandatit të tij këtë vit, Trump, i hoqi autorizimet e sigurisë më shumë se 40 ish-zyrtarëve të inteligjencës, përfshirë Boltonin.
Ai ishte gjithashtu mes tre ish-zyrtarëve të tjerë të Trump, të cilëve iu anulua shoqërimi me truproja këtë vit.