Tronditet KOSOVA/ Sulm me armë ndaj policisë në veri, humb jetën një efektiv: E vranë serbët!

24 Shtator 2023, 08:06Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Afrim Bunjaku

Një ngjarje e rëndë raportohet sërish në veri të Kosovës, një polic është vrarë dhe të paktën dy janë plagosur në fshatin Banjskë në veri.

Mediat bëjnë me dije se polici i vrarë është rreshteri Afrim Bunjaku, nga fshati Samadrexhë e Vushtrrisë.

Lajmi u konfirmua nga vetë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili thekson se gjatë natës, në fshatin Banjska të Leposaviqit, është sulmuar policia e Kosovës, ku për pasojë ka humbur jetën një efektiv dhe është plagosur një tjetër.

MESAZHI I KURTIT

Të dashur qytetarë,

Rreth orës 3 të mëngjesit sot, në fshatin Banjska të Leposaviqit, është sulmuar policia e Kosovës me ç’rast është vrarë një polic i Kosovës dhe një tjetër është plagosur. I vrari është polic i rendit me gradën rreshter, kurse i plagosuri është pjesëtar i policisë kufitare. Në këto momente ende vazhdojnë gjuajtjet me armë zjarri të kalibrave të ndryshëm mbi policinë tonë. 

Sulmuesit janë profesionistë me maska e të armatosur edhe me armë të rënda.

Ne e dënojmë këtë sulm kriminal e terrorist. Krimi i organizuar me mbështetje politike, financiare dhe logjistike nga Beogradi zyrtar po e sulmon shtetin tonë. Në këtë betejë ne mbrojmë dhe zbatojmë ligjin, mbrojmë dhe ruajmë qytetarët pa dallim dhe Kosovën e pavarur.

 Në këtë betejë ne mbrojmë dhe zbatojmë ligjin, mbrojmë dhe ruajmë qytetarët pa dallim dhe Kosovën e pavarur.

Kriminelët ekzekutorë dhe urdhërdhënësit e tyre do të dështojnë, do të kapen, gjykohen e dënohen.

Qeveria e Republikës së Kosovës dhe institucionet e shtetit janë të gatshme dhe të bashkërenduara për t’iu përgjigjur krimit dhe kriminelëve, terrorit dhe terroristëve.

Policia e Kosovës e ka njoftuar familjen e policit të vrarë A.B. Polici i plagosur është jashtë rrezikut për jetë.

Ngushëllime familjes dhe të gjithëve për policin tonë të vrarë. Shërim të shpejtë e të plotë policit të plagosur.

Zyra e Presidencës ka reaguar pas sulmit ndaj Policisë së Kosovës në Veri, ku u vra një polic dhe një tjetër u plagos.

Osmani ka thënë se ky sulm është i planifikuar, orkestruar dhe ekzekutuar nga bandat kriminale serbe.

“Vrasja e një polici dhe plagosja e një polici tjetër në veriun e Kosovës, e planifikuar, orkestruar dhe ekzekutuar nga bandat kriminale serbe, është sulm ndaj rendit dhe ligjit në veriun e vendit, është sulm ndaj Kosovës.”

Ajo ka thënë se këto sulme e dëshmojnë fuqinë destabilizuese të bandave kriminale, të organizuara nga Serbia.

“Këto sulme dëshmojnë edhe njëherë fuqinë destabilizuese të bandave kriminale, të organizuara nga Serbia, të cilat prej shumë kohësh, siç është dëshmuar edhe me sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, gazetarëve e qytetarëve, po e destabilizojnë Kosovën dhe rajonin.

Osmani ka thënë se sulmet kundër forcave të rendit të Republikës së Kosovës janë sulme kundër sovranitetit të Republikës së Kosovës.

Ajo ka deklaruar se pret që aleatët ta dënojnë “agresionin e hapur të Serbisë ndaj Kosovës” dhe “ta mbështesin Kosovën në përpjekjen e saj për vendosjen e rendit dhe ligjit si dhe ruajtjen e sovranitetit në çdo pjesë të Republikës së Kosovës.”

Presidentja ka shprehu ngushëllim familjes së policit të vrarë dhe ka thënë se autorët nuk do të mund t’i ikin drejtësisë.

“Familjes së policit të vrarë ju shprehim ngushëllime të thella dhe i sigurojmë se autorët e këtyre akteve terroriste nuk do të mund t’i ikin drejtësisë. Ftoj të gjithë qytetarët, institucionet dhe subjektet politike që të qëndrojnë të bashkuar në këtë kohë kur po sfidohet hapur integriteti territorial, siguria dhe sovraniteti i Republikës sonë. Si Presidente e Republikës kam besimin e plotë në djemtë dhe vajzat tona nga Policia e Kosovës”.

Osmani ka anuluar të gjitha aktivitetet e parapara për të hënën dhe të martën në New York, dhe qysh sot do të niset për në Kosovë.

Video