Trupat ruse po bëjnë një sulm të koordinuar në Ukrainën lindore dhe kanë fituar një pikëmbështetje në qendrën strategjike të Pokrovskut, tha Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky.
Ushtarët e Moskës janë 8-1 më të shumtë se ata të Kievit në zonë dhe Ukraina nuk mund ta përballojë këtë, shtoi Zelensky duke këmbëngulur se Rusia ende nuk e kishte "arritur rezultatin e planifikuar".
Rusia është përpjekur të pushtojë Pokrovskun për dy vjet. Qendra kryesore e furnizimit dhe transportit siguron furnizime dhe përforcime në frontin lindor, dhe do ta afronte Moskën me pushtimin e të gjithë rajonit të Donetskut.
Kjo gjithashtu do t'i vendoste qytetet e "rripit të fortesës" të fortifikuar rëndë, Kramatorsk, Slovyansk, Kostyantynivka dhe Druzhkivka, në një mundësi puhtimi më të lehtë për Moskën.
Zelensky tha se imazhet e droneve tregonin se rreth 200 ushtarë rusë ishin brenda Pokrovskut.
Duke e përshkruar situatën si "të vështirë", ai tha më parë se kishte luftime të ashpra të përhapura dhe "grupe sabotimi" kishin hyrë në qytet.
Megjithatë, ai hodhi poshtë raportet e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Rusisë, Gjeneral Valery Gerasimov, se trupat ukrainase ishin rrethuar plotësisht.
Në një përditësim të martën, ministria e mbrojtjes e Rusisë tha se forcat e saj kishin rrethuar trupat ukrainase rreth stacionit kryesor hekurudhor dhe kishin pastruar lagjen Troyanda të qytetit nga forcat ukrainase.
Një ushtar nga Brigada e 155-të e Ukrainës, Artem Pribylnov, hodhi poshtë idenë se trupat ukrainase ishin rrethuar në një "kazan" në Pokrovsk.
"Por lufta ka ndryshuar dhe tani është shumë teknologjike," tha ai.
Në sulmet e mëparshme kishte pasur një rrugëdalje nga kurthi ku trupat mund të hynin dhe dilnin me makinë, tha ai, por tani dronët kontrollonin pikat e hyrjes, gjë që e bënte atë "jashtëzakonisht të rrezikshme".
"Ndoshta kjo është arsyeja pse rusët pretendojnë se e kanë rrethuar Pokrovskun edhe nëse nuk ka rrethim fizik të qytetit?" sugjeroi ai.
Sipas Kapiten Hryhoriy Shapoval, zëdhënës i grupit operativ Lindor të Ukrainës, 79 sulme janë zmbrapsur pranë Pokrovskut që nga e hëna, pothuajse një e treta e gjithsej 218 sulmeve të regjistruara në të gjithë vijën e frontit.
Ai tha se trupat ruse kishin përqendruar një numër të madh trupash dhe pajisjesh pranë Pokrovskut dhe se po përdornin automjete të blinduara për të mbuluar këmbësorinë e tyre.
"Prandaj është e vështirë t'i ndalosh ata," tha ai.
Ai shtoi se trupat e Kievit normalisht përdornin dronë për të kundërshtuar përparimin e rusëve, por kushtet e motit me mjegull dhe shi e kishin bërë më të vështirë zbulimin dhe shkatërrimin e trupave të këmbësorisë.
Situata në dhe përreth Pokrovskut ilustron koston e lartë të zhvendosjes së vijës së frontit përpara, madje edhe vetëm me disa metra.
Javën e kaluar, media ukrainase raportoi se forcat ruse po angazhoheshin në beteja rrugore dhe po synonin pozicionet ukrainase, përfshirë operatorët e dronëve.
Larg qyteteve, teknologjia e dronëve do të thotë që forcat ruse dhe ukrainase janë në gjendje të godasin njëra-tjetrën thellë në të dyja anët e vijës së frontit.