
Nga dyshimet për “vrasësit e dytë”, tek hipotezat konspirative gjatë dekadave: pikat e errëta mbi vrasjet e ish-presidentit, të vëllait të tij dhe liderit afro-amerikan
Dyshimi se Lee Harvey Oswald, vrasësi që vrau JFK-në në Dallas, ishte informator ose madje një agjent i fshehtë i CIA-s dhe që nuk ishte i vetmi që qëlloi. Dinamika e pashpjegueshme balistike e të shtënave që pesë vite më vonë vranë vëllain e tij, Robert Kennedy.
Dhe presioni i paligjshëm i FBI-së – mbikëqyrje, spiunim i jetës private, akuza politike të pabazuara – para vrasjes së liderit të lëvizjes për të drejtat civile të afrikano-amerikanëve.
Tre vrasjet politike që ndryshuan historinë amerikane pas Luftës së Dytë Botërore – ajo e presidentit John Kennedy më 22 nëntor 1963, ajo e vëllait të tij Robert, i vrarë në Los Angeles më 5 qershor 1968 ndërsa ishte kandidat për President, dhe ajo pak më e hershme (4 prill 1968) e liderit Martin Luther King – kanë qenë për dekada objekt diskutimesh, hipotezash dhe versione alternative ndaj “narrativës zyrtare” të hetimeve gjyqësore dhe parlamentare.
Tri ngjarje me autorë të deklaruar ose, sidoqoftë, të identifikuar, por me shumë pika të errëta që kanë magjepsur historianë, gazetarë dhe regjisorë: qindra libra, filma dhe dokumentarë që trajtojnë gjithçka, nga përpjekjet për të ndriçuar mospërputhjet në hetime, deri te teoritë e mirëfillta konspirative.
Tani Donald Trump ka vendosur t’i rihapë këto tri raste, duke i kërkuar institucioneve shtetërore të deklasifikojnë dhe publikojnë të gjitha dokumentet mbi këto çështje, deri më tani të mbajtura të rezervuara, për të “zbuluar të vërtetën për qytetarët”.
“Çështje e madhe, apo jo?” – komentoi ai gjatë nënshkrimit të urdhrit ekzekutiv.
Në fakt, kjo është e fundit në një seri ndërhyrjesh të këtij lloji, të ndërmarra që nga viti 2017.
Në atë vit, vetë Trump deklasifikoi dhjetëra mijëra dokumente, por shumë mbetën të rezervuara për shkak të kërkesave të CIA-s dhe FBI-së, që kundërshtuan duke pretenduar arsye të sigurisë kombëtare.
Më vonë edhe Biden, në mënyrë të përsëritur, hoqi kufizimet e fshehtësisë mbi shumë dokumente të tjera (me disa përjashtime).
Çfarë do të ndodhë tani?
Presidenti ka kërkuar një program deklasifikimi brenda 15 ditëve për JFK-në dhe brenda 45 ditëve për RFK-në dhe Luther King-un.
Nuk është e qartë se çfarë do të zbulohet dhe në çfarë afatesh.
Mund të dalin në dritë mungesa të dokumenteve ose edhe komplotime të mundshme nga zyrtarë të pabesë të institucioneve shtetërore, që kanë vepruar pa dijeninë e eprorëve të tyre.
Por Trump do të arrijë gjithsesi objektivin që i intereson më shumë: rritjen e mosbesimit të qytetarëve ndaj institucioneve publike dhe veçanërisht ndaj atij “deep state”, FBI-së, inteligjencës dhe Ministrisë së Drejtësisë, që ai e sheh si organizatorë të komplotit kundër tij.
Në Dallas
Osëald qëlloi mbi John Kennedy duke shtënë nga një magazinë në Dealey Plaza të Dallasit, Teksas. Veproi vetëm? Sipas Komisionit Ëarren të vitit 1964, po.
Por në vitin 1979, një hetim tjetër (House Select Committee) argumentoi se ka të ngjarë që të kenë qëlluar dy persona.
Pra, një komplot, jo thjesht veprimi i një të rrënuari si Osëald, i cili nuk dha kurrë versionin e tij pasi u qëllua për vdekje dy ditë më vonë nga Jack Ruby, pronar i një klubi nate, ndërsa po transferohej nga një burg në tjetrin.
Osëald, një ish-marins në një bazë amerikane në Japoni pranë një stacioni të CIA-s, dezertor që kaloi me rusët në 1959 dhe më pas u rikthye në SHBA, ishte nën mbikëqyrjen e CIA-s.
Mbikëqyrja u shtua kur, gjashtë javë para se të vriste Kennedy-n, ai shkoi në Mexico City (ndoshta me një agjent të CIA-s), ku vizitoi ambasadat ruse dhe kubane. Megjithatë, ai arriti, i pa shqetësuar, të vriste njeriun më të mbrojtur në SHBA.
Kennedy i dytë
Robert Kennedy Jr., tani ministër i Shëndetësisë, ishte 14 vjeç kur i ati u vra dhe beson se provat për përfshirjen e CIA-s në vdekjen e xhaxhait John janë të qarta. Ai dyshon gjithashtu në përfshirjen e “shërbimeve” në vdekjen e babait të tij, edhe pse pa prova të forta.
Shiran Shiran, palestinezi që vrau Robert Kennedy-n, qëlloi përpara kamerave dhe mori burgim të përjetshëm. Megjithatë, ekspertët nuk kanë shpjeguar kurrë dy fakte: regjistrimi tregon 13 të shtëna, ndërsa karikatori i armës së Shiranit kishte vetëm 8 fishekë. Për më tepër, Shiran qëlloi nga përpara, por plumbi fatal hyri nga pas.
Edhe këtu një vrasës i dytë? Një truproje pas tij, Thane Eugene Cesar, nxori një armë. Por vetëm një dëshmitar e pa atë të qëllonte. Jackie Kennedy, e veja e John, e kishte parashikuar këtë vrasje të dytë.
Luther King
James Earl Ray u dënua si vrasësi i vetëm i Martin Luther King-ut. Ai e pranoi fajësinë dhe më pas e tërhoqi atë.
Shumë e deshën Luther King-un të vdekur, por teoria e një vrasësi të vetëm që qëlloi nga një dritare përballë hotelit Lorraine dhe më pas la aty armën me shenjat e gishtave të tij nuk i bindi të gjithë.
Bashkëshortja e King-ut, Coretta, gjithmonë denoncoi një “komplot të nivelit të lartë të qeverisë amerikane”.
Hetimet nuk çuan askund. Por King u përndoq për vite me rradhë, i akuzuar për sjellje seksuale të shthurura, madje edhe i shtyrë drejt vetëvrasjes. I shënjestruar nga shefi i atëhershëm të FBI-së, Edgar Hoover, i cili e shihte atë si komunist. I përgënjeshtruar nga MLK mohoi: "Ka më shumë eskimezë në Florida se sa komunistë në lëvizjen time”./Corriere della Sera