Dimri pritet të trefishojë infektimet me Covid-19

2 August 2022, 00:14Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Dimri pritet të trefishojë infektimet me Covid-19
Ilustrim

Ndërsa dimri i tretë i pandemisë së koronavirusit afrohet në hemisferën veriore, shkencëtarët po paralajmërojnë qeveritë dhe popullatat që të përgatiten për të tjera valë të Covid-19.

Vetëm në Shtetet e Bashkuara, mund të ketë deri në një milion infeksione në ditë këtë dimër. Chris Murray, kreu i Institutit të Metrikës dhe Vlerësimit të Shëndetit, në Universitetin e Uashingtonit që ka gjurmuar pandeminë, për agjencinë “Reuters” u shpreh se nënvariantet e Omicron po shtojnë rastet gjithnjë e më shumë për shkak të transmetueshmërisë së lartë.

Në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar dhe Europë, shkencëtarët parashikojnë një sërë valësh Covid, pasi njerëzit kalojnë më shumë kohë në ambiente të mbyllura pa maska dhe kufizime. Megjithatë, ndërsa rastet mund të rriten përsëri në muajt e ardhshëm, vdekjet dhe shtrimet në spital nuk ka gjasa të rriten me të njëjtin intensitet si në vitin 2020.

Kjo gjë sipas ekspertëve mund t’i shtyjë shtetet që t’i paraprijnë rritjes së infektimeve duke bërë vaksinim të vazhdueshëm. Shkencëtarët janë shprehur se njerëzit të cilët nuk janë infektuar asnjëherë nga Covid-19 janë me rrezik të lartë, përfshirë edhe ata që kanë refuzuar vaksinimin.

Këto parashikime ngrenë pyetje të reja se deri kur Covid-19 do të jetë prezent. Shumë ekspertë kishin parashikuar që tranzicioni do të fillonte në fillim të vitit 2022, por Omicron dhe nënvarianetet e tij e kanë thyer këtë pritshëmëri.

Nëse ky variant gjithashtu shkakton sëmundje më të rënda, ky do të ishte skenari i rastit më të keq, sipas një raporti të fundit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Europë. Shumë nga ekspertët e sëmundjeve të intervistuar nga “Reuters” thanë se bërja e parashikimeve për Covid është bërë shumë më e vështirë, pasi shumë njerëz mbështeten në teste të shpejta në shtëpi që nuk raportohen te zyrtarët shëndetësorë të qeverisë.

BA.5, nënvarianti Omicron që aktualisht po shkakton kulmin e infeksioneve në shumë rajone, është jashtëzakonisht i transmetueshëm, që do të thotë se shumë pacientë të shtruar në spital për sëmundje të tjera mund të rezultojnë pozitivë dhe të llogariten ndër rastet e rënda.

 


Video