“Digjni nigerianët për të mbushur gropat në rrugë” - Kandidati i anti-shqiptarit Farage zgjidhet këshilltar, pavarësisht komenteve raciste

11 Maj 2026, 21:59Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Glenn Gibbins, kandidat i partisë Reform UK të drejtuar nga Nigel Farage, është zgjedhur këshilltar komunal në zonën e Sunderland, pavarësisht postimeve të mëparshme raciste, misogjene dhe homofobe të publikuara online.

Në një postim të vitit 2024, Gibbins kishte shkruar: “Nuk arrij ta besoj sa shumë nigerianë ka në qytet… duhet t’i djegin të gjithë dhe t’i përdorin për të mbushur gropat e rrugëve”.

Pas zgjedhjes së tij në distriktin Hylton Castle, në media dolën edhe postime të tjera ku ai i përshkruante emigrantët që mbërrijnë me gomone si “një ushtri myslimanësh që një ditë do të kthehet kundër nesh”.

Ai gjithashtu kishte publikuar komente seksiste dhe homofobe ndaj figurave publike britanike, përfshirë deklarata fyese ndaj moderatoreve televizive dhe një koment gjatë një ndeshjeje ragbie në vitin 2021, ku shkruante se gratë “duhet të merren me gatim, qendisje dhe shtëpinë”.

Fillimisht, drejtues të Reform UK minimizuan polemikat. Nënkryetari i partisë, Richard Tice, deklaroi për BBC se partia po festonte suksesin zgjedhor dhe se raste të tilla do të trajtoheshin përmes procedurave të brendshme.

Megjithatë, pas reagimeve të forta publike, Reform UK njoftoi më vonë pezullimin e Gibbins nga partia në pritje të një hetimi të brendshëm.

Nga ana tjetër, ministrja britanike e Arsimit, Bridget Phillipson, e cilësoi rastin si shembull të “racizmit dhe përçarjes” që, sipas saj, po futet në politikën britanike nga Reform UK.

Edhe Partia Laburiste reagoi ashpër, duke akuzuar Nigel Farage dhe drejtuesit e Reform UK se nuk dënuan menjëherë deklaratat raciste të kandidatit të tyre.


Video