Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka dhënë një nga deklaratat më të forta mbi konfliktin me Iranin, duke paralajmëruar se lufta nuk ka përfunduar dhe se SHBA-ja dhe Izraeli mund të rifillojnë operacionet ushtarake në çdo moment nëse Teherani nuk heq dorë nga programi bërthamor.
Në një intervistë të gjatë për programin “60 Minutes”, Netanyahu tha se objektivat kryesore mbeten largimi i uraniumit të pasuruar nga Irani, çmontimi i impianteve të pasurimit dhe shkatërrimi i rrjetit të raketave balistike dhe forcave proxy të mbështetura nga Teherani.
“Presidenti Trump dhe unë jemi dakord që, nëse është e nevojshme, mund të riangazhohemi ushtarakisht”, deklaroi Netanyahu, duke shtuar se Irani ishte “shumë pranë” prodhimit të armës bërthamore dhe se pa ndërhyrjen ushtarake “do ta kishte bombën brenda një ose dy muajsh”.
Deklarata më tronditëse erdhi kur Netanyahu u pyet se si mund të hiqej uraniumi i pasuruar nga Irani. “Hyn brenda dhe e merr”, tha ai me të qeshur, duke lënë të kuptohet se ekziston një plan konkret për operacione të drejtpërdrejta në territorin iranian.
Kreu i qeverisë izraelite konfirmoi gjithashtu se regjimi iranian ndodhet në pikën më të dobët që prej Revolucionit Islamik të vitit 1979 dhe nuk përjashtoi mundësinë e rrëzimit të tij. “Dobësimi i regjimit mund të çojë në kolapsin e Hezbollahut, Hamasit dhe Houthis”, tha Netanyahu.
Në intervistë ai zbuloi edhe një tjetër zhvillim me peshë gjeopolitike, duke pretenduar se Kina ka dhënë mbështetje për komponentë të prodhimit të raketave iraniane, ndërsa paralajmëroi se Irani po punon për raketa me rreze që mund të arrijnë edhe territorin amerikan.
Netanyahu deklaroi se Izraeli “ka dalë si vendi më i fuqishëm në Lindjen e Mesme” pas luftës dhe se aleanca me SHBA-në është më e fortë se kurrë./Voxnews