Detaje nga ngjarja HORROR në Itali: Babë e bijë torturuan e vranë nënën dhe 2 vëllezërit!

19 Shkurt 2024, 12:39Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Italia u trondit pak ditë më parë nga një ngjarje horror, në kuptimin e plotë të fjalës.

Kjo vërtetohet edhe nga fjalët e prokurorit, Ambrogio Cartosio, i cili në një konferencë për shtyp tha: Në kaq vite karrierë, nuk kam parë kurrë diçka më të tmerrshme”.

Bëhet fjalë për një ngjarje të zbuluar mbrëmjen e 11 Shkurtit në Altavilla të Palermos.

Një grua dhe dy djemtë e saj u gjetën të vrarë në shtëpinë e tyre, trupi i Antonella Salamone, 41-vjeçe, u gjet i djegur.

Dy djemtë, 16-vjeçari Kevin dhe 5-vjeçari Emanuel, u gjetën të mbytur me zinxhir.

Por horrori nuk ndalet këtu. Të tre u torturuan për gati 1 muaj, derisa u vranë. Autorë të ngjarjes?

Bashkëshorti e babai i viktimave, Giovanni Barreca, së bashku me vajzën 17-vjeçare dhe një çift tjetër, Massimo Carandente e Sabrina Fina. Të gjithë janë vënë në pranga.

Arsyeja? Po kryenin një rit ekzorcizmi, të bindur se shtëpia, gruaja dhe dy fëmijët ishin pushtuar nga djajtë.

Viktimat u dhunuan në mënyrë makabre e u dogjën, tortura të cilat u kryen për t’i nxjerrë djallin nga trupi. Këtë e vërteton edhe autopsia mbi trupin e tyre, por edhe dëshmia që u ka dhënë hetuesve vajza 17-vjeçare, e cila sipas asaj që thonë prokurorët e Palermos, ka marrë pjesë në këto tortura.

Sipas asaj që shkruajnë mediat italiane, adoleshentja ka treguar se gjatë ekzorcizmit kishin përdorur hekur të nxehtë e tharëse flokësh për t’i djegur trupin e po ashtu edhe një tigan me të cilin i godisnin që t’i nxirrnin djajtë. Të gjitha këto vërtetohen edhe nga autopsia në trupin e Kevin dhe Emanuel.

17-vjeçarja u gjet në gjendje shoku dhe e çorientuar, ndërsa flinte në dhomën e gjumit ku ndodheshin trupat e pajetë të vëllezërve të saj.

Deri më tani, hetuesit besojnë se dy djemtë, pasi u torturuan u mbytën me zinxhir. Sa i përket nënës së tyre, momentalisht nuk dihet shkaku i vdekjes.

Ajo u gjet e djegur në bahçen e shtëpisë, nga trupi i 41-vjeçares kishin mbetur vetëm eshtrat. Autoritetet nuk kanë mundur ende të sqarojnë kohën kur kanë vdekur.

Ata dyshohet se janë vrarë të paktën 36 orë përpara se të njoftoheshin karabinierët, rreth orës 03:00 të së dielës së 11 Shkurtit. Hetuesit nuk përjashtojnë mundësinë që ata të jenë vrarë të enjten e 8 Shkurtit.

Sipas dëshmisë së 17-vjeçares, e bindur plotësisht për nevojën e kryerjes së ritit kundër forcave të këqija dhe aspak e penduar për faktin se ka torturuar dhe ka vrarë nënën dhe dy vëllezërit, e para që vranë ishte Antonella Salamone.

Ajo dhe djali 5-vjeç konsideroheshin si origjina e çdo të keqe. Gruaja u përpoq që të rezistonte dhe madje iu lut vazhdimisht të bijës që të telefononte karabinierët gjatë ritit.

Një lutje që ra në vesh të shurdhët, një moment që eliminuan nënën, radhën e pati 5-vjeçari.

Sipas adoleshentes, në torturimin dhe vrasjen e tij mori pjesë edhe vëllai tjetër, Kevin, derisa i erdhi edhe atij radha për të pësuar të njëjtin fund.

17-vjeçarja dëshmoi po ashtu se iu ishte hedhur shumë herë në bark, në mënyrë që t’i nxirrte djajtë, duke pranuar se ka marrë pjesë gjatë gjithë kohës në masakër.

Gjatë konferencës për shtyp, Prokuroria e Termini Imerese në Palermo tha se riti në fjalë kishte zgjatur të paktën një muaj dhe në të kishte marrë pjesë e gjithë familja Barreca, e bindur se ishte e pushtuar nga forcat djallëzore.

Prokurori Ambrogio Cartosio, teksa u ndal tek 17-vjeçarja tha se ajo ka një inteligjencë dhe ndjeshmëri jashtë të zakonshmes dhe se ka bashkëpunuar në hetime, për të rindërtuar të gjithë ngjarjen.

Po sipas autoriteteve, babai e bashkëshorti i viktimave, Giovanni Barreca, ‘gjithnjë e kishte jetuar besimin me një lloj fanatizmi’ dhe këtë ia kishte injektuar edhe familjes së tij.

Por në janar kishte pasur një ‘devijim’. Nga ai moment ai kishte kontaktuar çiftin nga Palermo, Massimo Carandente dhe Sabrina Fina që t’i ndihmonin në ritet e ‘pastrimit’. Marrëdhënia mes tyre ishte bërë tejet e ngushtë, aq sa çifti kishte shkuar të jetonte në shtëpinë e Barreca-ve në Altavilla.

Video