Alarmi i OKB, acari në kampet siriane po vret fëmijët

1 February 2022, 21:43Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Alarmi i OKB, acari në kampet siriane po vret fëmijët

Dy foshnja kanë vdekur nga i ftohti pasi bora e madhe dhe temperaturat e ulta goditën kampet e personave të zhvendosur në Sirinë veriperëndimore. Një zyrtar i OKB-së i tha agjencisë së lajmeve AFP se dy vajzat, njëra shtatëditëshe dhe tjetra dymuajshe kishin vdekur në provincën Idlib.

Rreth 2.8 milionë njerëz kanë kërkuar strehim në bastionin e opozitës pasi u larguan nga shtëpitë e tyre gjatë luftës civile dhjetëvjeçare të vendit. Shumë jetojnë në tenda të vjetruara pa rroba të ngrohta dhe karburant për ngrohje.

OKB ka paralajmëruar se situata po përkeqësohet për shkak të një rënieje të rëndë ekonomike në Siri që ka parë dyfishimin e çmimeve të ushqimeve brenda një viti, si dhe mungesën e fondeve për të ofruar ndihmë.

Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut tha se foshnjat, vdekja e të cilëve u raportua të martën, kishin qëndruar në kampe në zonat al-Ziyara dhe al-Sheikh Bahr, në veri të qytetit Idlib. Grupi i monitorimit me bazë në Mbretërinë e Bashkuar shtoi se një djalë një muajsh kishte vdekur gjithashtu për shkak të të ftohtit në një kamp në Jarablus, në provincën fqinje Aleppo, më 23 janar.

Një tjetër fëmijë u vra ndërkohë në zonën Qastal Miqdad më 18 janar pasi bora e madhe shkaktoi shembjen e çatisë së çadrës së tyre. Sipas OKB-së, 287 kampe për personat e zhvendosur në Idlib dhe Aleppo janë prekur nga reshjet e borës, përmbytjet dhe erërat e forta si rezultat i stuhive që goditën rajonin më 18, 19 dhe 25 janar. Bora ka shkatërruar të paktën 935 tenda dhe ka dëmtuar më shumë se 9,500 të tjera.

 


Video