A mbaroi "besa e dhënë"? Familja e Naim Murselit: Le të na vrasin, ç'të bëjmë!

9 Dhjetor 2023, 09:45Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Liridona Ademaj/ Shaban Murseli

Vrasja e Liridona Ademajt më 29 nëntor ka tronditur opinionin publik.

Dy ditë më vonë, u arrestuan tre të dyshuar për vrasjen e saj, përfshirë dorasin Granit Plavën, bashkëshortin e të ndjerës, Naim Murseli, i cili dyshohet të ketë urdhëruar vrasjen e Liridonës si dhe Kushtrim Kokallën, si të dyshuar për bashkëpunim.

Ishte raportuar se familjeve të të dyshuarve u janë dhënë dy ditë besë dhe se më pas do të përgjigjeshin me Kanun ndaj këtij rasti.

Indeksonline ka kontaktuar babanë e Naimit, Shaban Murselin, i cili tha se dje ishte vizituar nga pjesëtarë të familjes Ademaj, të cilët i kanë thënë se kanë përfunduar ditët e besës. Ai thotë se shtëpia e tij po ruhet nga Policia e Kosovës dhe se nuk ka  se çfarë të bëjë lidhur me këtë situatë.

“Na kanë ardhur sonte dy persona dhe na kanë thënë qe “ne kërkojmë gjak”. Thonë se duan përmes Kanunit ta zgjidhin këtë çështje. Tek të tri familjet, dhe jo vetëm tek unë. Unë nuk mundem me i thanë dikujt “mos më vrit”. Kur të duan le të më vrasin, unë s’kam çfarë të bëj. S’kam zgjidhje. Policia më ka thënë që pas çdo lëvizjeje, çdo mesazhi, na lajmëroni. I thirra e iu thashë që jam i kërcënuar me jetë. Iu thashë që i kam dy fëmijë të mitur në shtëpi. Tani kam dy patrulla të policisë që janë duke e ruajtur shtëpinë. Ishte edhe një hetues civil. Unë e kam për nipat, se mua të më vrasin kur të duan” tha Murseli.

Ai thotë se gjendja shëndetësore e dy fëmijëve të Liridonës dhe Naimit është e mirë.

Por një gjë të tillë e ka mohuar vëllai i Liridonës, Leonardi. Ai thotë se po të donin të bënin një gjë të tillë, do e kishin bërë kohë më parë.

“Më babanë edhe vëllanë, po, e kemi përmendur se kemi folur që mos të na dalë më përpara. Gjakova është e vogël dhe mundemi me u përpjekë me ta. Për këtë arsye kanë çuar njerëz, që mos me u ndesh me ta. Vetëm që ata të mos na dalin përpara. Nëse jemi gjaknxehtë, vjen edhe më e keqja. Ne besojmë në drejtësi, s’kam ç'të them unë për Kanun. Siç deri tash që ua kemi lanë autoriteteve, edhe tani atyre ua lëmë” ka thënë Leonardi për Indeksonline.

Ai thotë se fëmijët e Liridonës planifikojnë t’i marrin pranë vetes kurdo që t’i lejojnë autoritetet dhe Qendra Sociale. Dy djemtë e motrës thotë se nuk i kanë marrë menjëherë, për shkak të ngushëllimeve që janë mbajtur në shtëpi dhe gjendjes së rëndë të familjarëve të Liridonës./Indeksonline

Video