
“Të luftosh kundër rusëve nuk është punë, është kënaqësi!”. Këto janë fjalët e një vullnetari polak, që u është bashkuar forcave të rezistencës në Ukrainë kundër rusëve.
Që kur njoftoi krijimin e legjionit ndërkombëtar, që do të përbëhet nga luftëtarë dhe vullnetarë të huaj, Ukraina thotë se ka marrë 20 mijë aplikime deri më tani.
“Ish-ushtarakë me përvojë, veteranë të ushtrisë dhe vullnetarë nga 52 vende të botës janë gati të luftojnë në Ukrainë krah për krah me ukrainasit kundër pushtuesit rus në radhët e Legjionit Ndërkombëtar. Numri total i aplikime ka mbërritur 20 mijë”, thotë ushtria ukrainase në një njoftim.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy deklaroi katër ditë më parë se po krijonte legjionin ndërkombëtar si dhe nxorri një dekret me anë të të cilit dekriminalizohej pjesëmarrja e të huajve në luftë në Ukrainë.
Ndërkohë, ushtria ukrainase ka nisur një ofensivë në frontin jugor të luftës, duke deklaruar se ka sprapsur forcat ruse pranë qytetit Mariupol. Në këtë qytet, gjatë negociatave u ra dakord që të krijoheshin korridore humanitare për evakuimin e civilëve, por Ukraina akuzon Rusinë se nuk po e respekton armëpushimin dhe ka bombarduar me artileri civilët.