“Gabime dhe mangësi në dokumente” – Igli Tafa i AKSHI-t anulon tenderin e “sherrit” midis Ermal Beqirit dhe Gerond Meçes!

18 Gusht 2026, 22:12Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Ermal Beqiri, Igli Tafa dhe Gerond Meçe

Në dosjen voluminoze të Prokurorisë së Posaçme për drejtuesit dhe ish-drejtuesit e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, ku janë vënë nën akuzë dhjetëra persona, punonjës shtetërorë dhe pronarë të firmave të ndryshme, ishte edhe një tender për mirëmbajtjen e një sistemi për Policinë e Shtetit. Madje, kjo procedurë ka qenë “molla e sherrit” midis biznesmenëve Ermal Beqiri dhe Gerond Meçe, ku ky i fundit u pretendua se u mor peng, me qellim që të tërhiqej nga disa tendera, për t’i hapur rrugë firmës tjetër.

Tenderi në fjalë ka qenë një nga të kontestuarit në atë dosje, ku është ngritur akuzë ndaj disa zyrtarëve, ndërsa hetimet vijojnë për të përcaktuar rolin e gjithsecilit, pasi edhe Meçe ka disa “njolla”, pasi për një kohë të gjatë ka bashkëpunuar me ish-zëvendës drejtorin e AKSHI-t, Daniel Shima, duke ndarë shumëçka. Ndryshimi i drejtimit të kësaj Agjencie ka sjellë përmbysje të interesave, ku vendin e Karçanajt e ka zënë Igli Tafa, edhe ai me probleme gjatë kohës që ka drejtuar AKSK-në, edhe ajo një Agjenci për Sigurinë Kibernetike, ndërsa tashmë po mbron disa interesa të tjera.

“Gabime dhe mangësi në dokumente” – Igli Tafa i
Faksimile: Anulimi i tenderit për sistemin FER për Policinë e Shtetit

Sipas dokumenteve që disponon Vox News, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit ka anuluar procedurën e hapur mbi kufirin e lartë monetar, me objekt të kontratës “mirëmbajtje e sistemit FER për Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit”.

Fondi limit i kësaj procedure ka qenë 34,992,000 lekë, ndërkohë që shpjegimi i anulimit ka qenë për shkak se AKSHI “konstaton se dokumentet e tenderit përmbajnë gabime ose mangësi të rëndësishme”. Tafa nuk ka dhënë shumë shpjegime se çfarë gabimesh apo mangësish ka në tender, po fakti se kjo procedurë del në dosjen e SPAK-ut flet shumë.

“Gabime dhe mangësi në dokumente” – Igli Tafa i

“Gabime dhe mangësi në dokumente” – Igli Tafa i
Faksimile: Dosja e SPAK-ut për AKSHI-n, ku është edhe tenderi për mirëmbajtjen e sistemit FER për Policinë e Shtetit

Vox News shfletoi dosjen e SPAK-ut për abuzimet e AKSHI-t, ku rezulton se tenderi në fjalë që ka anuluar Igli Tafa ndodhet edhe në atë akt-akuzë. Në dokumente citohet se “një nga procedurat që lidhen me tërheqjen nga ankimet pranë KPP, nga subjekti ‘ABS’ në pronësi të shtetasit Gerond Meçe, janë si më poshtë vijon: Procedura e prokurimit me objekt ‘mirëmbajtje e sistemit FER për Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit’”.

“Në zbatim të vendimit të këqyrjes dhe marrjes së dokumenteve, nëpërmjet procesverbalit të këqyrjes së datës 03.11.2025 janë administruar disa praktika të procedurave të prokurimit publik. Këto prokurorime për qëllime të hetimit janë ndarë në tre kategori ... (ii) prokurime të lidhura me subjektin ‘ABS’ sh.p.k ku përfshihen tërheqjet nga ankimimet por jo vetëm”, thuhet në dosje.

Më tej citohet se një nga tërheqjet më të bujshme të Gerond Meçes në KPP ka qenë edhe tenderi për mirëmbajtjen e sistemit FER për Policinë e Shtetit, ku janë disa veprime nga drejtuesit e AKSHI-t, si memo e gushtit të vitit 2024 për përfundimin e kontratës, apo edhe një relacion për argumentimin e fondit limit dhe hartimin e kritereve të veçanta të kualifikimit për procedurën e prokurimit.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016



Video