Hungaria hap dosjet: A ishte dhe Viktor Orbán, agjent i Sigurimit të Shtetit?

6 November 2026, 19:17Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Hungaria hap dosjet: A ishte dhe Viktor Orbán, agjent i Sigurimit të

Ish-kryeministri hungarez Viktor Orbán ka zbuluar se shërbimet sekrete të regjimit komunist në Hungari ishin përpjekur ta rekrutonin si informator gjatë kohës kur kryente shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Deklarata e tij ka rikthyer në vëmendje të kaluarën e politikanit dhe ka rindezur debatin mbi dosjet e inteligjencës së periudhës komuniste, të cilat ende nuk janë bërë publike.

Orbán ka treguar se përpjekja për ta përfshirë në rrjetin e informatorëve ishte bërë gjatë periudhës së parë të shërbimit ushtarak, por se ai e kishte refuzuar ofertën. Sipas tij, ky refuzim u pasua nga një periudhë e gjatë mbikëqyrjeje nga autoritetet komuniste, e cila nuk kufizohej vetëm tek ai, por përfshinte edhe bashkëshorten dhe figura të tjera të opozitës.

“Gjatë periudhës së parë të shërbimit tim të detyrueshëm ushtarak, ata u përpoqën të më rekrutonin, por unë refuzova, kështu që përpjekja përfundoi pa sukses”, shkroi Orbán.

Ish-kryeministri pretendon se operacionet e fshehta të shërbimeve të sigurimit ndaj tij dhe bashkëpunëtorëve përfshinin vëzhgimin e vazhdueshëm, përdorimin e informatorëve dhe vendosjen e pajisjeve përgjuese në vendet e punës dhe në banesat e tyre. Sipas tij, pajisje të tilla dyshohet se ishin instaluar edhe në dhomat e gjumit.

Deklaratat e Orbánit vijnë në një moment kur dyshimet dhe spekulimet mbi lidhjet e tij të mundshme me aparatin e sigurimit të shtetit gjatë komunizmit janë rikthyer në qendër të vëmendjes mediatike.

Gazetari investigativ Szabolcs Panyi deklaroi së fundmi, gjatë një podcasti, se ish-kryeministri hungarez Miklós Németh i kishte thënë se kishte parë tri raporte të inteligjencës, të shkruara dhe të nënshkruara me dorë, të cilat dyshohet se ishin hartuar nga Orbán.

Sipas pretendimeve, Németh kishte njohur shkrimin e dorës dhe nënshkrimin e Orbánit në këto dokumente, megjithëse nuk kishte mundur të verifikonte në mënyrë të pavarur autenticitetin e tyre.

Nga ana tjetër, historiani Krisztián Ungváry, pjesë e një komisioni që shqyrton dokumentet e klasifikuara, ka bërë thirrje për kujdes në trajtimin e këtyre akuzave. Ai theksoi se prezumimi i pafajësisë duhet të vlejë për të gjithë dhe se pretendimet për bashkëpunim me shërbimet sekrete duhet të mbështeten në prova konkrete.

Ungváry bëri të ditur se edhe pas përfundimit të shërbimit ushtarak të Orbánit, ai vetë ishte vënë në shënjestër të mbikëqyrjes nga shërbimet shtetërore. Historiani pranoi se nuk mund të përjashtohet mundësia që politikani të ketë kryer detyra informative përpara lirimit nga ushtria, por theksoi se deri më tani një gjë e tillë nuk është provuar.


Video