
Arkeologët nga Muzeu i Vjenës në Austri raportuan se eshtrat e rreth 150 ushtarëve u zbuluan në një varr masiv romak.
Puna ndërtimore për rinovimin e një fushe futbolli në zonën rezidenciale dhe industriale të Simmering zbuloi mbetjet në tetor të vitit të kaluar. Pas analizave të ekspertëve, u konfirmua se mbetjet datojnë në shekullin parë të Perandorisë Romake.
Ekipi i ndërtimit që rinovoi një stadium futbolli zbuloi për herë të parë mbetjet në tetor. Ekspertët vunë në dukje se zbulimi është “jashtëzakonisht i rrallë”.
Konkretisht, u konfirmua se në vend u gjetën eshtrat e 129 personave dhe gërmimet e mëtejshme çuan në zbulimin e më shumë eshtrave, duke bërë që ekspertët të besojnë se numri i trupave i kalon 150.
Muzeu i Vjenës raportoi se zbulimi i gjetjeve të skeletit nga kjo periudhë është jashtëzakonisht i rrallë për shkak të praktikës së djegies deri në shekullin tretë pas Krishtit.
“Ndërsa varrosjet me djegie ishin të zakonshme në pjesët evropiane të Perandorisë Romake rreth vitit 100 pas Krishtit, varrosjet e trupave ishin një përjashtim absolut. Gjetjet e skeleteve romake nga kjo periudhë janë jashtëzakonisht të rralla”, shpjegoi Christina Adler-Ëölfl, kreu i Departamentit lokal të Arkeologjisë.
Muzeu vuri në dukje se të varrosurit ishin midis 20 dhe 30 vjeç dhe ishin burra që dukej se ishin vrarë në betejë.
Lidhur me shkaqet e vdekjes, janë konstatuar lëndime të shkaktuara nga shpata, shtiza, kama dhe predha, duke bërë që ekipi i ekspertëve të konkludojë se të ndjerët kishin marrë pjesë në një operacion ushtarak që rezultoi në vrasje masive.
“Ka fusha të mëdha beteje në Gjermani ku janë gjetur armë. Por gjetja e trupave të vdekur, kjo është unike për të gjithë historinë romake”, theksoi kreu i gërmimeve arkeologjike, Michaela Binder.
Muzeu i Vjenës njoftoi se studimet e mëtejshme të plota do të vazhdojnë dhe se kërkimi është ende në një fazë të hershme.