
Ditët e fundit që kur Presidenti rus Vladimir Putin ka përmendur mundësinë e ndonjë sulmi me armë bërthamore, e gjithë bota është kapur në vështirësi dhe panik, për shkak të pasojave që ka ajo luftë, por dhe për shkak të mungesës së informacionit se si mund të mbrohesh.
Shqipëria edhe pse larg këtij konflikti nuk është e përjashtuar nga asnjë situatë eventuale sulmi.
Por a jemi ne të përgatitur për t’u mbrojtur?
Tuneli i Ministrisë së Brendshme është ndërtuar mes viteve 1981 dhe 1986 dhe mund të konsiderohet si një nga “veprat e mëdha” të fundit të kryera nga regjimi komunist në kuadër të projektit të bunkerizimit që kishte filluar në fillim të viteve '70 e që çoi në ndërtimin e 700 mijw bunkerëve të madhësive të ndryshme në të gjithë vendin.
Bunkerët ishin të tre llojeve ndërtimi: faqe mali, ndërtesa dhe gropa. Bunkeri i Ministrisë së Brendshme është i llojit “gropë”.
Ky bunker është krijuar nga Ndërmarrja e Ndërtimit 10 (një drejtori e Ministrisë së Ndërtimit që merrej me ndërtimin e bunkerëve sekret) që ka hapur një gropë të madhe pranë ndërtesës së Ministrisë së Brendshme.
Pas realizimit të ambienteve të brendshme, struktura në pjesën e sipërme u krye me një shtresë të trashë betoni të përforcuar që arrin një trashësi prej 240 cm.
Ky bunker, në kod i quajtur “Objekti Shtylla”, përbëhet nga 24 dhoma, nga një apartament të rezervuar për Ministrin e Brendshëm dhe nga një sallë e madhe e dedikuar telekomunikacionit. Ashtu si shumë bunkerë të tjerë të kësaj madhësie, dhe ky është ndërtuar për të përballuar një sulm kimik e bërthamor të mundshëm.
Në të vërtetë bunkeri nuk është përdorur as edhe për stërvitje.
Si Kryeministri Mehmet Shehu ashtu dhe Enver Hoxha, të cilët urdhëruan ndërtimin e tij, nuk e kanë parë kurrë të përfunduar për shkak se të dy vdiqën para se punimet të mbylleshin.
Hyrja dhe dalja e bunkerit janë krijuar vetëm në kohët e fundit, pasi në projektin fillestar mund të hyhej në tunel vetëm nga brenda Ministrisë.
Shqipëria ka mbi 700 mijë bunkerë të tjerë. Si është historia e tyre?
Në fillim të vitit 1971 u zhvillua në Tiranë Plenumi i 12 i Komitetit Qendror të PPSH-së, ku u diskutua ideja e “fortifikimit të vendit”.
Projekti u mbështet fort nga kryeministri Mehmet Shehu dhe një grup specialistësh si Mero Backa, Alfred Moisiu, Josif Zegali etj.
Modeli shqiptar i bunkerëve u realizua pasi u konsultuan të gjitha sistemet e mëparshme që nga vija Marzhino deri tek lufta në Vietnam.
Sipas literaturës së kohës, bunkerët shqiptarë ishin të aftë të përballonin të gjitha armët e kohës, por edhe armët kimike dhe bërthamore me fuqi deri në 20 kiloton.
Prodhimi i bunkerëve nisi menjëherë dhe prova e parë e tyre u krye në vitin 1975 në Grykën e Këlcyrës. Prova e dytë u krye në Peldhja të Sarandës në vitin 1976.
Brenda bunkerëve u vendosën kafshë të gjalla dhe më pas nisi bombardimi. Në Sarandë u hodhën mbi 1000 predha artilerie dhe më pas aviacioni hodhi mbi 100 bomba 50 kg, 250 kg dhe deri në 500kg. Bunkerët i rezistuan bombardimeve dhe kafshët brenda mbijetuan.
Më pas Byroja Politike vendosi atë që njihet si bunkerizimi i Shqipërisë.
Fortifikimi masiv nisi në 1975 vazhdoi deri në vitin 1985, kur vdiq Enver Hoxha.
Në një video që qarkullon online ku pasqyrohen sipas hartuesve “diktatorët më të çmendur”, për Enver Hoxhën thuhet:
“Ndërtoi 750 000 bunkerë prej çimentoje, në një kohë kur vendi kishte një popullsi prej vetëm 3 milionë, për t’u mbrojtur nga ndonjë sulm i jashtëm”.
Hoxha renditet i treti. Atij ia kalon vetëm Mobutu Sese Seko, ish- dikatori i Republikës Demokratike të Kongos dhe Saparmurat Niyazov nga Turkmenistani që emëronte muajt e vitit sipas emrave të familjes së tij.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.