Kongresi i Berlinit dhe Shqipëria

27 February 2022, 19:23Histori SHKRUAR NGA MARENGLEN KASMI
Kongresi i Berlinit dhe Shqipëria
Kongresi i Berlinit

Në pikëpamje formale, qëllimi i Kongresit të Berlinit ishte të rishikonte dhe ndryshonte vendimet e Traktatit të Shën Stefanit, me synimin e ruajtjes së paqes në Europë.Përvoja historike tregoi se ky Kongres e ruajti për disa dhjetëvjeçarë paqen por, po ashtu tregoi se ai nuk e kishte potencialin dhe as qëllimin e zgjidhjes në mënyrën e duhur të problemeve në Ballkan. Konfliktet që shpërthyen në Ballkan, në kuadër të krizës lindore ishin të reja, të panjohura dhe të pa imagjinuara për kohën dhe përmasat që mund të merrnin ato në të ardhmen.

Kriza e madhe lindore e viteve 1875-1878, e cila u kurorëzua me Kongresin e Berlinit, tregoi se, vakumi i pushtetit që po krijohej me humbjen e territoreve të Perandorisë Osmane nga Ballkani do të krijonte një vatër të re konfliktesh në Europë. Kongresi i Vjenës (18 shtatori 1814 - 9 qershor 1815) në një farë mënyre e kishte kursyer Ballkanin nga ndryshimet territoriale, e kjo më tepër për faktin se Perandoria Osmane nuk ishte e përfshirë drejtpërsëdrejti në luftërat napoleoniane dhe vazhdonte të ruante ende sukerenitetin dhe sovranitetin e saj në Ballkan.

Paralel me këto zhvillime dhe pak kohë para se të thirrej Kongresi, edhe në Rajhun e sapokrijuar gjerman u përkeqësua situata e brendshme. Atentati i dytë ndaj Perandorit Wilhelm I, u krye një ditë para se të dërgoheshin ftesat zyrtare për fillimin  punimeve të Kongresit. Po ashtu një ditë para se kongresi të fillonte punimet, Bismarck-u shpërndau Reichstag-un, si pasojë e mosmiratimit të ligjit të parë për socialistët.Kështu që Bismarck-u ishte në pozita politike të brendshme të pafavorshme, për më tepër që një tentativë e tij për të bërë një aleancë me Partinë Nacionaliberale kishte dështuar, Perandori 81-vjeçar Wilhelm I ishte i plagosur rëndë dhe po ashtu edhe vetë Bismarck-u kishte probleme shëndetësore. Vetëm pas ndërhyrjes së Carit Aleksandër II, Bismarck-u pranoi të drejtojë punimet e Kongresit.

Por cilat ishin interesat e shteteve pjesëmarrëse në këtë Kongres dhe çfarë synonin të arrinin ato?

Anglia kërkonte të siguronte rrugën detare për në Indi nëpërmjet Detit Mesdhe, kanalit të sapo ndërtuar të Suezit dhe Detit të Kuq. Këto synime ajo mund t’i arrinte duke i ndërprerë Rusisë daljen nga Deti i Zi në atë Mesdhe nëpërmjet ngushticave detare. Nga njëra anë, Rusia, kërkonte daljen në Stamboll dhe Ballkan. Ajo e shikonte veten të bllokuar nga Anglia, gjatë përpjekjeve të saj për të goditur Perandorinë Osmane nëpërmjet mbështetjes që i ofronte kryengritjes së popujve sllavë të Ballkanit. Nga ana tjetër, Anglia, ishte e interesuar në ruajtjen e statusit të Perandorisë Osmane në Ballkan, pikërisht për t’u ruajtur nga ekspansioni rus në Ballkan. Të njëjtën politikë ndiqte edhe Austria.

Franca kishte në Lindje interesa tradicionalë si fuqi mbrojtëse katolike e vendeve të shenjta dhe si aleate qindravjeçare e Perandorisë Osmane. Po ashtu, një faktor tjetër i qëndrimit pasiv që do të mbante Franca në këtë Kongres ishte edhe dobësimi i saj ushtarak, që prej humbjes së saj në luftën me Gjermaninë në vitet 1870-1871.

Nëpërmjet pjesëmarrjes në këtë Kongres, Italia, bëhej për herë të parë pjesë e vendimmarrjes politike europiane. Politika e ndjekur prej saj operonte ndërmjet patosit liberal të «Risorgimento-s» (Rilindjes), çka kishte të përbashkëta edhe me nacionalizmin e sllavëve të jugut dhe tentativave ekspansive kundrejt anës tjetër të Adriatikut, Shqipërisë. Madje, Kryetari i Dhomës së Deputetëve italianë, Francesco Crispi, i cili ishte me origjinë shqiptare, jep një të dhënë për pretendimet italiane ndaj Shqipërisë dhe qëndrimit të Bismarck-ut për këtë problem. Sipas Crispi-t, Bismarck-u i tha atij në vitin 1877 se “[...] Nëse Austria anekson Bosnjën, atëherë edhe Italia duhet të aneksojë Shqipërinë ose ndonjë territor tjetër turk në detin Adriatik”. Ndonëse kjo gjë është shkruar vetëm në kujtimet e Crispi-t, të cilat u botuan në vitin 1912 dhe mungojnë burimet e tjera për ta vërtetuar atë, nëse mbajmë parasysh politikat kompensuese që ndiqte Bismarck-u, mund të mendohet se një bisedë e tillë është zhvilluar. 

Në këtë periudhë, në kuadër të politikës kontinentale, por edhe si pasojë e industrializimit, Rajhu gjerman nuk shfaqte prirje ekspansive jashtë kufijve të tij të vitit 1871. Në periudhën e krizës lindore, pra në vitet 1875-1878, Gjermania kishte në Ballkan pak interesa të drejtpërdrejta ekonomike, e aq më pak politike. Kështu që për këtë periudhë nuk mund të flitet për një politikë gjermane aktive përkundrejt Ballkanit. Gjithsesi Gjermania ishte e interesuar në ruajtjen e balancave. Ajo ishte sidomos e interesuar në ruajtjen dhe mos copëtimin e Perandorisë Osmane, sepse zbrazëtia që do të krijohej me rënien e saj do të plotësohej nga Rusia.

Megjithatë, pas luftës ruso-turke, në janar të vitit 1878,Perandoria Osmane u thye. Ushtria ruse ndodhej para Stambollit dhe flota angleze në ngushticën e Bosforit. Pra, duke mos e shpëtuar dot Perandorinë Osmane nga kapitullimi ushtarak, Anglia, Gjermania dhe Austria u munduan, por pa sukses, ta shpëtonin këtë Perandoritë paktën nga shpërbërja politike.

Anglia dhe Austria iu përgjigjen Marrëveshjes së Shën Stefanit me një kërcënim serioz lufte ndaj Rusisë, sepse ata nuk mund të toleronin krijimin e një Bullgarie të Madhe, që shtrihej në Jug deri në detin Egje dhe në Perëndim deri në kufijtë e Shqipërisë. Pavarësisht se, formalisht u parashikua që «Bullgaria e Madhe» do të ishte autonome dhe nën sukerenitetin e sulltanit, në të vërtetë, ajo përbënte majën e ajsbergut të ndikimit rus në Ballkan. Përveç kësaj, përfshirja e Maqedonisë së sotme në Bullgari do të ndante gjeografikisht Shqipërinë, Bosnjën dhe Hercegovinën nga pjesa tjetër e Perandorisë Osmane, çka do të çonte automatikisht në ndarjen politike të këtyre vendeve nga kjo Perandori dhe sipas tyre, duke qenë se këto shtete do të ngeleshin të vogla, ato nuk mund të ishin në gjendje të siguronin ekzistencën e tyre.

Duke marrë shkas nga këto zhvillime, në datat 13 qershor – 13 korrik 1878, në Berlin u mbajt Kongresi i Berlinit. Në Kongres morën pjesë përfaqësuesit e Gjermanisë, Anglisë, Francës, Rusisë, Austrisë dhe Italisë. Po ashtu ishte i ftuar edhe një delegacion osman, i cili drejtohej nga Ministri i Jashtëm i Perandorisë, Kara Theodhor Pasha. Gjithsesi, delegacioni i Perandorisë Osmane nuk kishte të drejta të barabarta me ato të Fuqive të Mëdha. Ai mund të diskutonte për çdo çështje të rendit të ditës, por nuk kishte të drejtë të votonte për vendimet e Kongresit. Gjithashtu, me ftesën e Fuqive të Mëdha u përfaqësuan në Kongres edhe Serbia, Greqia, Bullgaria, Rumania dhe Mali i Zi. Ndonëse delegacionet e tyre kishin status vëzhgues, në seancat përkatëse atyre ju dha mundësia të mbrojnë kërkesat e tyre politike e territoriale.

Edhe Lidhja Shqiptare e Prizrenit, i parashtroi Kongresit të Berlinit kërkesat e saj për t’i dhënë Shqipërisë disa të drejta autonomiste. Por Fuqitë e Mëdha,të mbledhura në Kongresin e Berlinit, nuk i morën parasysh këto kërkesa të shqiptarëve. Po ashtu, edhe një memorandum i hartuar nga atdhetarë shkodranë më 13 qershor, drejtuar Lordit Beaconsfield, ku në emër të kombit shqiptar kërkohej nga Fuqitë e Mëdha respektimi i tërësisë territoriale të Shqipërisë dhe njohja e pavarësisë së saj të plotë, nuk u mor në konsideratë.

Madje, delegacioni shqiptar, i ngarkuar nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit, i cili shkoi në Berlin me nismën e vet për t’i parashtruar Kongresit të drejtat e Shqipërisë, nuk u përkrah nga askush. Kancelari gjerman Bismarck nuk pranoi të takohej me këta «malësorë turq» (Bergtürken) duke u shprehur se “nuk ka një komb shqiptar”.

Megjithatë, në protokollet e mbajtura në gjithë seancat plenare (20 seanca 2-3 orëshe, të mbajtura pasditeve), nuk gjendet asnjë informacion i tillë. Po ashtu edhe shprehja, që mendohet se Bismarck-u ka thënë gjatë kësaj konference se “Shqipëria është një nocion gjeografik”, nuk është e pasqyruar në protokollet e Kongresit. Ajo çka mund të vërtetohet është se Bismarck-u, gjatë mbajtjes së Kongresit, në cep të një letre që Cari i Rusisë i dërgonte atij nëpërmjet ministrit të tij të jashtëm Gorchakov, ku i kërkonte mbështetjen e politikave ruse, shkroi në tri gjuhët që ai zotëronte: “Who is Europe?”, “Qui parle Europe a tort – notion geographique”, “Redensart”. Nëse jemi të prirë të besojmë këtë burim të panjohur nga historiografia jonë deri tani, Bismarck-u mendonte se Evropa ishte një nocion gjeografik, një mënyrë të shprehuri. Parë në këtë këndvështrim, mundësia që Bismarck të krahasonte Europën me Shqipërinë është shumë e pamundur.

Madje, në asnjë çast, gjatë Kongresit, Bismarck-u nuk e ka përmendur me emër Shqipërinë. Si pasojë, çështja shqiptare nuk u përfill fare si çështje më vete nga Kongresi i Berlinit. Fuqitë e Mëdha morën përsipër të hartonin në Kongresin e Berlinit një hartë të re politike të Ballkanit, por siç u theksua edhe më lart, politika kompensuese mbizotëronte frymën vendimmarrëse dhe nuk u morën parasysh kërkesat e popujve të vegjël.

Kongresi u zhvillua nën një presion të dukshëm kohor që kancelari Bismarck ushtronte ndaj delegatëve të këtij Kongresi. Bismarck-u kishte menduar se Kongresi do të mjaftohej me disa seanca dhe duke qenë se ishte bërë gati për t’u nisur në llixha në Bad Kissingen (Bad Kisingen, qytet në Landin e Bavarisë), ai shfaqej tepër i paduruar. Madje ndaj delegacionit turk Bismarck-u u soll agresiv dhe arrogant.Ndërmjet seancës së tretë dhe të katërt, Kongresi rrezikoi të dështonte. Kështu që Bismarck-ut i duhej të negocionte me të gjitha palët në mënyrë të veçantë. Bismarck-u shkoi në takim me delegacionin turk i veshur me uniformë dhe me helmetë në kokë, çka me të drejtë krijoi te delegacioni turk idenë e një takimi zyrtar të një rëndësie të veçantë, por në të njëjtën kohë edhe po kaq kërcënues.

Për këtë gjë, ambasadori gjerman në Paris, Hohenlohe, e kritikoi hapur Bismarck-un për ngutjen e tij. Po ashtu edhe përfaqësuesi i Rusisë Peter Shuvalov e kundërshtoi ritmin e shpejtë të punimeve.  Duke mos i marrë parasysh ankesat e kësaj natyre, Bismarck-u ju përgjigj kritikave se: “An Arbeit ist noch  niemand gestorben” (ende nuk ka vdekur njeri nga puna).

Kjo sjellje do të kishte një ndikim të drejtpërdrejtë në fatin e popullit shqiptar. Madje, Ambasadori Hohenlohe me të drejtë do të shkruante në kujtimet e tij: “Kjo mungesë durimi e kancelarit, të cilën e përligjte gjendja e tij jo e mirë shëndetësore, i cyt punimet të ecin me shpejtësi më tej.  Por, më vonë, do të ketë pasoja. Disa çështje po trajtohen vetëm në mënyrë sipërfaqësore. Unë do të preferoja një punë me ritëm më të ngadaltë”.

Ky ishte një parashikim mëse i saktë. Vendimet e Kongresit të Berlinit i cenuan rëndë interesat e popullit shqiptar dhe tërësinë territoriale të Shqipërisë. Ashtu si Traktati i Shën-Stefanit, edhe ai nuk e pa Shqipërinë si një njësi politike të veçantë, por e trajtoi si një mjet kompensimi ndaj interesave të Fuqive të Mëdha dhe fqinjëve ballkanikë.

Traktati i Berlinit nuk i njohu Shqipërisë asnjë të drejtë kombëtare, madje nuk e zinte fare në gojë emrin e saj. Ai nuk e respektoi as tërësinë e saj territoriale. Malit të Zi, përveç trojeve me popullsi të përzier shqiptare e sllave, iu dhanë përsëri disa vise shqiptare (krahinat e Plavës, të Gucisë e të Rugovës), sikundër edhe Serbisë (krahinat e Vranjës, të Trenit e të Pirotit). Bullgarisë nuk iu njohën viset e Shqipërisë Lindore, por, nga ana tjetër, iu dhanë Greqisë (e cila nuk përfitonte asgjë nga Traktati i Shën-Stefanit), viset e Çamërisë.

Midis vendimeve të tjera që mori Kongresi i Berlinit, dy prej tyre preknin, njëri tërthorazi e tjetri drejtpërdrejt, dy çështje që kishin lidhje me aspektin politik të trojeve shqiptare, që do të mbeteshin nën sundimin e Perandorisë Osmane.

E para trajtohej në nenin 23 të traktatit. Sipas këtij neni, Porta e Lartë detyrohej të hartonte për viset ballkanike (në origjinal shkruhet Perandoria Osmane evropiane) që ndodheshin nën sundimin e saj të plotë, “rregullore organike” për një administrim autonom të vilajeteve, pak a shumë të njëllojtë me atë që i ishte dhënë ishullit të Kretës më 1868. Me qëllim që këto «rregullore» t’u përshtateshin nevojave të vendit, Porta duhej të ngarkonte «komisione të posaçme» për hartimin e tyre, në të cilat “elementi vendas duhej të përfaqësohej në shkallë të gjerë”.Projektet që do të hartoheshin për çdo vilajet, thuhej në po këtë nen, para se të hynin në fuqi, do të miratoheshin edhe nga Komisioni Evropian që u krijua nga Fuqitë e Mëdha për Rumelinë Lindore.

Problemi i dytë për Shqipërinë paraqitej në Protokollin Nr.13 të kongresit, në seancën e datës 5 korrik dhe kishte lidhje me venomet e Mirditës. Fillimisht çështja u ngrit nga përfaqësuesit e Francës dhe të Austro-Hungarisë. Këta kërkuan nga Porta e Lartë që ajo t’i respektonte edhe në të ardhmen “privilegjet dhe imunitetet” (venomet), të cilat “popullsia e Mirditës i gëzon ab antiquo”.

Mehmet Ali Pasha e kundërshtoi këtë propozim, sepse respektimi i venomeve në këtë krahinë binte në kundërshtim me nenin 23, i cili e detyronte atë të zbatonte reforma administrative në vilajetet e Turqisë Evropiane. Megjithatë ai shtoi se Porta e Lartë nuk kishte ndërmend të zbatonte reformat e saj në krahinën e Mirditës. Fuqitë e Mëdha mbetën të kënaqura nga deklarata e përfaqësuesit turk, e cila u përfshi në Protokollin Nr.13, duke marrë kështu vlerën e një zotimi zyrtar.

Nëpërmjet Nenit 23 të kongresit, Shqipëria u cenua rëndë, sepse trojet shqiptare u destinuan të qëndronin përsëri të ndara administrativisht në katër vilajete. Reformat administrative autonomiste i kërkonin edhe vetë qarqet përparimtare rilindëse, por ato i kushtëzonin këto reforma me bashkimin e trojeve shqiptare në një vilajet të vetëm autonom. Për më tepër, e drejta që fituan me nenin 23 Fuqitë e Mëdha për të ndërhyrë në këtë çështje, u dha atyre mundësinë, siç shkruante pak më vonë Abdyl Frashëri, që t’u jepnin reformave në vilajetin e Kosovës, bullgar në atë të Manastirit dhe grek në vilajetin e Janinëskarakter joshqiptar, por serb. Si rrjedhim, me zbatimin e këtij neni rritej më tepër në të ardhmen rreziku i aneksimit të trojeve shqiptare nga shtetet fqinje ballkanike dhe vështirësohej më shumë lufta e shqiptarëve për bashkimin e këtyre trojeve në një vilajet të vetëm autonom.

Po ashtu, me Protokollin nr. 13 çështja kombëtare shqiptare u reduktua në një problem të popullsisë katolike krahinore. Ky vendim i hapte rrugë politikës së Vjenës, e cila gëzonte prej kohësh të drejtën e mbrojtjes së popullsive katolike të Perandorisë Osmane. Në politikën e «depërtimit paqësor» që ajo ndiqte, një rol të madh luante «Kultusprotektorati», ndonëse e drejta e mbrojtjes së kultit dhe kishës së krishterë në Perandorinë Osmane, politikisht dhe juridikisht i përkiste Francës që nga koha e kapitulacioneve të vitit 1535.

©Copyright Vox News

Ky artikull i historianit Marenglen Kasmi është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video