FOTO HISTORIKE/ Kongresi i Manastirit, kush ishin figurat e shquara që bashkuan kombin shqiptar në një alfabet

22 Nëntor 2024, 18:27Histori SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Njerezit që bashkuan kombin shqiptar në një alfabet

Kongresi i Manastirit përkujtohet çdo vit më 22 nëntor si Dita e Alfabetit, një ditë që mbart në vetvete frymën e bashkimit dhe përparimit të kombit shqiptar.

Kjo ngjarje nuk është vetëm një moment historik, por edhe një kujtesë e fuqisë së bashkëpunimit dhe vizionit kombëtar.

Ndikimi i saj mbetet i gjallë në historinë dhe kulturën shqiptare, duke frymëzuar breza të tërë për të mbrojtur dhe zhvilluar më tej trashëgiminë gjuhësore dhe kulturore.

Kongresi i Manastirit, i mbajtur nga data 14 deri më 22 nëntor 1908, përfaqëson një nga momentet më të rëndësishme në historinë kombëtare shqiptare, duke shënuar një hap të madh drejt unifikimit kulturor e gjuhësor të shqiptarëve.

Në këtë ngjarje të mëdha, figura të shquara të lëvizjes kombëtare, si Gjergj Fishta, Mit'hat Frashëri, Parashqevi Qiriazi, Ndre Mjeda, Shahin Kolonja dhe shumë të tjerë, u mblodhën për të trajtuar një çështje themelore siç ishte dhe standardizimi i alfabetit.

Kongresi u përmbyll me miratimin e një alfabeti të përbashkët, bazuar në shkronjat latine. Kjo zgjedhje nuk ishte një vendim teknik, por një akt strategjik dhe simbolik për të theksuar identitetin perëndimor të shqiptarëve dhe për të shkëputur vendin nga ndikimet e huaja që synonin përçarjen kulturore.

Vendimet e Kongresit të Manastirit hapën një epokë të re për arsimin, letrat dhe kulturën shqiptare. Alfabeti i miratuar u bë baza e zhvillimit të mëtejshëm të letërsisë dhe shkencës në gjuhën shqipe, duke ndihmuar në forcimin e ndërgjegjes kombëtare dhe përhapjen e arsimit masiv.

Anëtarët e Kongresit të Manastirit:

Gjergj Fishta - Kryetar i Komisionit

Mithat Frashëri - Kryetar i Kongresit;

Ndre Mjeda - Anëtar i Komisionit

Parashqevi Qiriazi - Sekretare e Komisionit

Grigor Cilka - Nënkryetar

Luigj Gurakuqi - Nënkryetar i Kongresit

Hilë Mosi - Sekretar i Kongresit për shqipen

Thoma Avrami - Sekretar i Kongresit për shqipen

Fehim Zavalani

Nyzhet Vrioni

Phineas Kennedy

Bajo Topulli

Sotir Peci

Gjergj Qiriazi

Shahin Kolonja

Dhimitër Buda

Mihal Grameno

Sami Pojani

Fillomena A. Bonati

Video