
Gjykata e Tiranës ka vendosur lirimin e 13 personave të arrestuar në kuadër të protestave të ditëve të fundit në kryeqytet, duke caktuar masa më të lehta sigurie ndaj tyre.
Vendimi është marrë këtë të martë, më 20 tetor, në vijim të shqyrtimit të çështjeve që lidhen me ndalimet pas tubimeve të zhvilluara në Tiranë, të shoqëruara me përplasje mes protestuesve dhe Policisë, si dhe dëmtime të pronës publike e private.
Për 12 prej të hetuarve është caktuar masa e detyrimit për t’u paraqitur në prokurori, ndërsa për njërin prej tyre gjykata ka vendosur edhe ndalimin e afrimit pranë institucioneve publike dhe pjesëmarrjes në tubime, pa autorizimin paraprak të gjykatës.
Të 13 personat dyshohen për kundërshtim të punonjësve të Policisë së rendit publik dhe shkatërrim të pronës. Gjykata ka vlerësuar të ligjshëm arrestimin e tyre në flagrancë, por ka urdhëruar lirimin e menjëhershëm, nëse nuk mbahen për ndonjë masë tjetër sigurie apo vendim dënimi.
Vendimi vjen në një moment kur protestat e nisura më 13 tetor kanë vijuar për disa ditë në Tiranë, me pjesëmarrjen e studentëve, gjimnazistëve dhe qytetarëve, të cilët kanë ngritur shqetësime për arsimin, kostot e studimit dhe situatën politike në vend.