
Nëse Presidenti francez, Kryeministri i Malit të Zi, ai i Greqisë, apo ai i Bullgarisë do të nxirrnin në Facebook çdo jaht e anije turistike që ndalon në portet e vendeve të tyre postimet do të ishin aq të shpeshta sa nuk do të kishin hapësirë kohore për të trajtuar problematikat e tjera të qeverisjes së tyre.
Por, në Shqipëri përbën ende lajm për Facebook-un e Kryeministrit parkimi i anijeve turistike gjigante në Portin e Sarandës.
“Për herë të parë, kroçera amerikane e luksit, Seaborn Sojourn ka hyrë në ujërat e Shqipërisë për t’u ndalur në Portin e Sarandës”, shkruan Kryeministri.
Kjo s’është hera e parë që anije luksi parkojnë në Sarandë, qëndrojë në pjesën më të madhe më pak se 24 orë dhe largohen. Pak kohë më parë këtë bëri edhe jahti që u tha se i takonte Jeff Bezzos, shefit të Amazon.
Koha e qëndrimit tregon se arsyeja e vërtetë e ardhjes së këtyre anijeve në Portin e Sarandës nuk është për qëllime turistike, sepse në 24 orë, turistëve që ndodhen në bordin e tyre u del koha vetëm për të shpenzuar për ndonjë byrek pranë portit. Pra, përfitimi turistik është minimal.
Por, përfitimi financiar i jahteve dhe kroçerave nga ana tjetër është maksimal. Ato vijnë në Portin e Sarandës të joshura nga çmimi favorizues i naftës, që e marrin me një taksë vetëm 40 lek mbi çmimin e litrit.
E thënë më thjesht, nëse sot çmimi i një litri nafte në Shqipëri i zhveshur nga taksat është diku te 120 lek, jahtet e marrin atë 160 lek, thuajse 100 lek më pak nga sa po e blejnë shqiptarët nëpër pikat e karburanteve prej më shumë se një jave tashmë.
Kursimi nuk është i pallogaritshëm, edhe për miliarderët, pasi bëhet fjalë për mjete me serbator që mban me mijëra tonë karburant. Pra, vetëm për një ton naftë të mbushur në Sarandë kursehen gati 100 mijë euro.
Përveç kësaj, në të shkuarën ka pasur denoncime se një pjesë e këtyre anijeve të luksit (që në rastin e Shqipërisë vështirë se tregojnë zhvillimin e turizmit të nivelit elitar, siç po mundohet të shitet) kanë shkarkuar me tonelata ujërat e zeza pranë brigjeve dhe plazheve të vendit duke përfituar nga mungesa e kontrolleve, neglizhimi, apo edhe korrupsioni.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.