“Unë, betohem që besnikërisht do të kryej detyrat e mia, do të zbatoj Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Shqipërisë me ndershmëri dhe paanshmëri gjatë gjithë kohës. BETOHEM”, ky është akti i betimit të çdo punonjësi të policisë së shtetit shqiptar para marrjes së detyrës.
Por ky betim duket se u thye në rastin e vrasjes së Klodian Rashës, përplasjes me grupet kriminale në Elbasan që kulmoi me vrasjen e Pjerin Xhuvanit dhe vdekja nga (mbidoza) e 32-vjeçarit, Lear Kurti.
Deri më tani kemi parë se në të treja këto ngjarje, policia është përfshirë në fshehjen e krimit që u mori jetën tre qytetarëve në vende të ndryshme.
Vrasja e Pjerin Xhuvanit
Në rastin e vrasjes së Pjerin Xhuvanit në Elbasan, ish-Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ardi Veliu bashkë me prokurorin e çështjes, gënjyen publikisht median dhe opinionin publik.
Ardi Veliu, i cili doli në konferencë atë kohë duke pohuar qëllimisht të vërteta gjysmake, duhet të ishte midis atyre zyrtarëve policorë që sikurse vartësit duhet të mbanin përgjegjësi penale për shpërdorim detyre, apo deklarim të rremë.
Ard Veliu, gënjeshtra 4 (22 prill)
“Grupi hetimor nuk ka konstatuar sende të kundërligjshme apo të dyshuara se mund të përdoreshim për shitblerje të votës.”
Gjykata
"U gjëtën 5 fletë me lista emrash dhe ID , 17 fletë formati, kopje kartash identiteti dhe pasaporta biometrike, 5 gurmë kopjues , formular patronazhi me emrin Met Dafllaku."
Vrasja e Klodian Rashës
Ngjarja më e rëndë e Policisë së Shtetit ishte padyshim vrasja e të riut Klodian Rasha nga një efektiv Policie. Madje, Policia njoftoi ditën e vrasjes se viktima kishte pasur armë me vete dhe madje kishte qëlluar në drejtim të grupit “Shqiponja”.
Vrasja e Klodian Rashës shkaktoi protesta të dhunshme ku qindra të rinj u përplasën me policinë, ndërsa nuk kanë munguar vandalizmat. Si pasojë e këtyre protestave, ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, por jo Ardi Veliu, dha dorëheqjen si një gjest moral për të ulur tensionet e shkaktuara nga vrasja e të riut.
Çfarë ndodhi me Lear Kurtin
AMP, (Agjencia e Mbikëqyrjes Policore) e drejtuar nga Ardi Veliu reagoi në lidhje me vdekjen e 32-vjeçarit Lear Kurti i cili gjatë shoqërimit në polici ndërroi jetë në komisariat. Sipas AMP-së, në stomakun e të riut është gjetur një qese plastike, e cila dyshohet se ishte e mbushur me lëndë narkotike dhe është përcjellë prej tij në momentin që patrulla e policisë i kërkoi mjetet e identifikimit.
Video e publikuar nga VoxNews
Në videon e publikuar nga VoxNews, Lear Kurti ndodhej në gjendje të rëndë shëndetësore dhe pa ndjenja, efektivët mundohen ta ngrenë nga toka.
Në vend të lajmëronin ambulancën, apo ta dërgonin menjëherë në spital ku mund të ishte shpëtuar, efektivët e kanë çuar të riun në komisariat.
Mendimi i ekspertëve
Eksperti i rendit, Fatjon Softa ka analizuar veprimet e policisë dhe ngre dyshime të forta për rolin dhe qesen që u gjet në stomakun e të riut. Sipas ekspertit Softa ai tha se: 'Sa e madhe ka qenë qesja dhe si mund të kapërdihet kur vrapon. Se nuk ka mundësi, nuk shkon poshtë. Versioni i dytë është që mund të jetë future, ai gjatë rrugës mund ta hapte dhe ta derdhte dhe nuk linte asnjë gjurmë.
Gjatë vrapit nuk ke mundësi ta gëlltitësh, mund të jetë e futur sesa e gëlltitur. Kjo kërkon analizë. Sa e madhe ishte qesja, a tretet nga stomaku? Nuk është e mundur që stomaku të ketë tretur qesen brenda kësaj kohe', tha Softa në një intervistë.
Eksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuço ka vënë në dukje se në raste të tilla policia duhet të zbatojë një manual, i cili nuk është bërë publik ende.
“Në rastin konkret, nga dinamika dhe ngjarja nuk po themi kush e vrau, po themi pse nuk u shpëtua. Dhe për këtë duhet t’i hyjmë jo vetëm ligjit dhe rregullores, por edhe një urdhri të veçantë që zbaton policia në këto lloj episodesh. Si e ndalon, pse dyshon, çfarë ndihme jep. Është një manual që udhëzon si duhet të veprojë policia në këto raste. Unë dje kam komunikuar me disa nga drejtuesit dhe u kam thënë që të gjitha policitë e kanë të publikuar manualin”, tha Karamuço.
Raporti për policinë
Vitin e shkuar në një raport të publikuar për policinë, rezulton se 224 policë janë vënë nën hetim për shpërdorim detyre dhe 99 janë arrestuar për vepra penale.
Për periudhën nga janari deri në shtator të këtij viti në pranga si autorë të ngjarjeve të ndryshme, kanë rënë 24 policë ndërsa 263 të tjerë janë nën hetim nga prokuroria.
Rastet më të rënda të shënuara gjatë këtij viti janë arrestimi më 2 gusht për veprën penale ‘Vrasje me dashje’ të komisar Arjan Tases pas aksidentit me gomone që i mori jetën një vogëlushe 7-vjeçare në plazhin e Potamit dhe arrestimi i Agjentit Jeton Lami më 24 gusht për veprën penale ‘shpërdorim detyre’ pasi rezultoi se ka shoqëruar me mjet të shpallurin në kërkim ndërkombëtar Ervis Martinaj.
'Policia që duam' u harrua
“Policia që duam”, këto fjalë i kemi dëgjuar shpesh edhe nga ministri Çuçi, por kjo nuk është policia që duan vërtetë shqiptarët.
Nga “policia që duam” e Tahirit që mbante koferenca shtypi me policë me maska si fasadë në sfond e deri te heqja e “barkëderrave” dhe e “të vjetërve” e Lleshit, policia, nga Polici e Shtetit është kthyer në polici të partisë e udhëhequr nga Bledi Çuçi.
Çfarë do ndodhte në një vend europian
Në vendet demokratike këto veprime abuzive do të sillnin një reagim të menjëhershësh të shoqërisë. Mjafton të sjellim në vëmendjen tuaj plagosjen pa dashje të një qytetari britanik nga policia, që e gjithë shoqëria angleze të reagonte.
E si pasojë e këtij reagimi qeveria angleze vendosi që policët e rendit të mos mbajnë armë zjarri, por vetëm pistoleta elekrike pasi nuk kanë trainimin e nevojshëm, duke lejuar përdorimin e armëve të zjarrit vetëm nga policia kriminale dhe forcat speciale.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.