Kajmaku i Vorës rifutet në tenderat e qeverisë, gjykata i heq skualifikimin!

8 Shkurt 2025, 19:40Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Agim Kajmaku

Agim Kajmaku, ish-kryetari i Bashkisë së Vorës, bëhet gati që të rifitojë tendera nga qeveria. Disa muaj para zgjedhjeve të përgjithshme, Kajmaku është “futur” sërish në lojë, teksa me vendime tepër të dyshimta të gjykatës dhe të Agjencisë së Prokurimeve, ai ka arritur që të heqë masën e skualifikimit nga pjesëmarrja në tendera publikë.

Megjithëse ka një mori akuzash mbi shpinë, që nga falsifikimi, pastrimi i parave apo edhe trafiku i drogës, ai dhe familja e tij kanë “luftuar” që të marrin para nga qeveria aktuale, të cilës i shërbeu disa vite në prapaskenë dhe në vitin 2019 u zgjodh edhe kryetar i Bashkisë së Vorës.

Por, e kaluara e tij me precedentë kriminale, të cilët i “hëngrën kokën” pasi nuk i deklaroi, sollën edhe arrestimin e tij të parë. Ai i shpëtoi për disa vite prangave, ku megjithëse ishte në arrati vijonte të fitonte tendera. U ndalua dhe qendroi shumë pak në qeli, pasi kishte “probleme shëndetësore”. Iku në Itali, por edhe atje u kap me një sasi prej 20 kilogramësh me kokainë.

Një “mal” me akuza, madje edhe me një pasuri të stërmadhe, ku bashkëshortes së tij iu gjet një shumë prej 1.5 milionë eurosh. Por, me vendime të dyshimta dhe tashmë larg politikës, Kajmakët po ia arrijnë që të “pastrojnë” emrin, të paktën në Shqipëri.

Kajmaku i Vorës rifutet në tenderat e qeverisë, gjykata i heq
Faksimile: Njoftimi i Agjencisë së Prokurimit Pubik për reduktimin e skualifikimit nga 27 muaj në vetëm 10 muaj nga tenderët

Sipas dokumenteve që disponon redaksia e VoxNews, në datën 31 janar 2025, Agjencia e Prokurimit Pubik nxori njoftimin për kompaninë “A.M.E 2020” shpk, ose ish “Kajmaku”. Në dokument shkruhet se, APP-ja mori vendimin me numër 27 të datës 28 mars 2024 duke vendosur të përjashtojë për 2 vite e 3 muaj këtë operator nga e drejta për të fituar kontrata publike, për dorëzim të dokumenteve me të dhëna të rremë për qëllime kualifikimi në një procedurë prokurimi.

“Kundër këtij vendimi, shoqëria i është drejtuar Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, duke kërkuar ndryshimin e masës së dënimit në lidhje me përjashtimin nga e drejta për të fituar kontrata publike, nga 2 vjet e 3 muaj në një masë më të vogël si dhë dhënien e vendimit me ekzekutim të përkohshëm. APP është njohur me dispozitivin e vendimit të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, e cila ndër të tjera ka vendosur pranimin e pjesshëm të kërkesë padisë, duke vendosur uljen e masës së dënimit nga 2 vjet e 3 muaj në 10 muaj, si dhë dhënien e këtij vendimi me ekzekutim të përkohshëm” thuhet në këtë dokument.

E thënë më thjeshtë; vendimi i APP–së për skualifikim u dha në 28 mars 2024 dhe tashmë afati është vetëm 10 muaj. Që nga data 28 dhjetor 2024, firma “A.M.E 2020” mund të marrë pjesë lirisht në tendera të institucioneve shtetërore. Një paradoks i madh, pasi megjithëse ka një mori hetimesh dhe verifikimesh, një ish-zyrtar arrin që të rikthehet fuqishëm, madje duke sfiduar të gjitha organet ligjzbatuese. 

Kajmaku i Vorës rifutet në tenderat e qeverisë, gjykata i heq
Faksimile: Firma “A.M.E 2020” është themeluar nga Agim dhe Merita Kajmaku

Sipas dokumente që disponon VoxNews, firma “A.M.E 2020” është themeluar nga Agim dhe Merita Kajmaku në vitin 2008 dhe ka si seli qytetin e Vorës. Mësohet se gjatë kësaj kohe, kompania ka fituar me dhjetëra procedura tenderuese, teksa edhe gjatë kohës që Agim Kajmaku ka qenë në arriti, fitoi tender nga Ministria e Brendshme. Pas emërimit të Kajmakut në postin e kryebashkiakut të Vorës, ai ia kaloi aksionet bashkëshortes.

Kajmaku i Vorës rifutet në tenderat e qeverisë, gjykata i heq
Faksimile: Megjithëse pronare me letra është Merita Kajmaku, në 2024-ën kompania ka vendosur e-mailin e ish-kryetarit të Bashkisë së Vorës

Pronare me letra e kompanisë me 100 % të aksioneve është zonja Merita Kajmaku. Por, me apo pa dashje, në dokumentet e kësaj kompanie në QKB është vendosur në vitin 2024 edhe adresa e e-mailit e Agim Kajmakut. Një provë e qartë se Agimi, ish-kryetari i Bashkisë së Vorës është edhe pronari i firmës, e cila tashmë po bëhet gati që të fitojë sërish para pubike.

Kajmaku i Vorës rifutet në tenderat e qeverisë, gjykata i heq
Faksimile: Megjithëse Kajmaku u arrestua në Itali për trafik droge, kompania e tij dilte me fitime

VoxNews shfletoi bilancet e kësaj kompanie në QKB, ku rezulton se në datën 28 qershor 2024 është depozituar edhe bilanci për vitin 2023. “Miratimi i llogarive vjetore që i takon periudhës 1 janar 2023 deri më 31 dhjetor 2023. Të miratojë vlerën e fitimit të ushtrimit të paraqitur në bilanc për vlerën 3.605.858 lekë” thuhet në këtë dokument. Por nëse pronari kapet me drogë, i hetohet pasuria, ka probleme me ligjin në dy shtete, a nuk i sekuestrohet pasuria?

Të dhënat në QKB flasin se firma e tij që ka fituar tendera xhiron miliona euro në biznesin e luleve, pemëve dekorative dhe sistemimit të hapësirave të gjelbra. Në bilave kompania xhiron nga 185 deri në 189 milionë lekë të rinj në vit, teksa pronares me letra, sipas të dhënave nga prokuroria, iu gjet një shumë prej 1.5 milionë euro në bankë. Deri më tani, sipas këtyre të dhënave, hetimet duket se kanë qenë vetëm fasadë, pasi Kajmakët po bëhen gati të fitojnë të tjera kontrata publike.

©CopyrightVoxNews

Ky artikull është ekskluziv i VoxNews, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar VoxNews dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Video