‘Cenet’ e ish-komisioneres së vettingut Genta Bungo, kandidate për anëtare në Gjykatën Kushtetuese

27 August 2025, 20:06Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
‘Cenet’ e ish-komisioneres së vettingut Genta Bungo, kandidate
Genta Bungo

Komisionerët e shkallës së parë të vettingut, pas përfundimit të mandatit të këtij institucioni të përkohshëm të ngritur në kuadër të reformës në drejtësi po nxitojnë që të gjejnë veten në poste të reja.

Disa janë angazhuar në politikë, disa në aktivitete privaten dhe të tjerë po në sistemin e drejtësisë. Një prej tyre është edhe ish-komisionerja Genta Bungo Tafa. Kulmi i karrierës së saj deri më tani është ai i drejtimit të komisionit të pavarur të kualifikimit. Se si ja doli mbanë një përmbaruese dhe pedagoge me një CV relativisht të varfër shkencore dhe mësimdhënieje, kjo është një tjetër temë.

Ajo që dihet është se Genta Bungo po synon të tjera arritje, madje të shkojë në majën e sistemit tonë të drejtësisë dhe vetë shtetit të së drejtës; anëtare në Gjykatën Kushtetuese. Kandidatura e saj është pranuar nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, që iu deshën tre mbledhje që të ndante mendjen për ‘po’ ose ‘jo’.

Burimet pohojnë se arsyet e ngurrimit në dy mbledhjet e para të KED lidheshin me një raport problematik për pasurinë e komisioneres së vettingut. Raporti citon mosjustifikim të pasurisë së vendosur prej saj me të ardhurat e deklaruara ndër vite. 

Përveç kësaj, ka denoncime publike të personave nga vetë sistemi i drejtësisë që ngrenë dyshime se Genta Bungo ka përfituar 200 mijë euro nga një prokuror, apo gjyqtar që ishte subjekt i vettingut. Dosja, sipas këtij denoncimi, është në prokurorinë e posaçme e depozituar nga Shërbimi Informativ Shtetëror.

Verifikimet për këto pretendime u takojnë organeve kompetente, por deri atëherë, emërimi i Genta Bungos në majën e sistemit të shtetit shqiptar, siç është Gjykata Kushtetuese do të përbënte një njollë të pashlyeshme për reformën në drejtësi përsa kohë vetë protagonistët e saj përfliten për pasuri të pajustifikuara, për fshehje të ardhurash dhe mungesë transparence.


Video