A u "shemb" politikisht Sali Berisha gjatë Kuvendit të PD?

1 May 2022, 16:49Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
A u "shemb" politikisht Sali Berisha gjatë Kuvendit të PD?
Në foto: Ish kryeministri Sali Berisha

Komisioni Qendror i Numërimit në një konferencë për mediat bëri me dije emrat e rinj  që do të jenë pjesë e Këshillit Kombëtar të PD. Ajo çfarë bie në sy është rikthimi i Rudina Hajdarit, anëtarësimi i djalit të ish-deputetit të ndjerë të PD Sokol Olldashi, Glauk Olldashi. Po ashtu pjesë e emrave më të votuar është edhe Myslim Murrizi.

Ditën e djeshme kuvendi Kombëtar i “Rithemelimit”, nuk kaloi pa incidente. Brenda sallës ku ishin ulur delegatët e te ftuarit, është rrëzuar bashkëshortja e ish-kryeministrit Sali Berisha, Liri Berisha.


Siç duket edhe në pamjet, zonja Lirie është ndihmuar nga persona të tjerë për tu ngritur sërish në këmbë. Pas saj, u rrëzua në mes të Kuvendit edhe ish-kryeministri, i cili u pengu tek shkallët teksa po ngjitej në foltoren e Kuvendit të “Rithemelimit”.


Nxitimi për të mbyllur komandimin e PD-së prej tij, duke zgjedhur forumet e reja, kryetarët e rinj të degëve, Këshillin kombëtar, dhe ti japë fund gjithë procesit duke u u rikthyer në 22 maj në krye të PD-së, duket se i ka kushtuar rëndë Sali Berishës. Plot 35 deputetë, nuk pranuan të marrin pjesë në kuvendin e organizuar nga Komisioni i Rithemelimit duke bërë tashmë evidentë çarjen në grupin parlamentar më të madh të opozitës. Aq e fortë ishte kjo çarje sa edhe deputetë që kishin dhënë shenja afrimi me fitimtarët e rinj të pas 6 marsit, si Alizoti apo Salianji, gjithashtu e bojkotuan kuvendin.

E gjithë kjo thyerje, që u shfaq këtë 30 prill me tërë fuqinë e saj, filloi të bëhej e prekshme pasi Enkelejd Alibeaj propozoi një platformë për pajtimin e demokratëve. Ndonëse shumë nga deputetët kishin qenë këmbëngulës në presionin për dorëheqjen e Bashës, pra ishin distancuar dukshëm nga ish- kryetari, ata i këkruan Berishës një rrugë kompromisi. Ata donin që gjithë planifikimi i zgjedhjeve të degëve lokale dhe forumeve qëndrore të shtyhej për disa kohë, sa të zinin kore plagët e betejës së ashpër që kulmoi në 9 janar. Vetëm kështu të gjithë do të konkuronin më pas në kushte të barabarta gare.

Justifikimet e Berishës se “bashkimi bëhet përmes votës”, apo se “deputetët pas kuvendit do të zbresin në bazë si përfaqësues të shumicës dhe jo të pakicës”, nuk pinë ujë. Ata u ndjenë nën trysninë e revanshit të fitimtarëve dhe zgjodhën ta bojkotojnë festën e këtyre të fundit.

Në këtë kontekst, çkuptim ka shkarkimi që i bëri kuvendi Enkeleid Alibeaj, kur për të mund të mos votojnë shumica e pjestarëve të grupit parlamentar? A nuk ngjan ai me shkarkimet fallco që Basha u bëri në kuvendin e vet ndaj Bersha&co në 18 dhjetor?, shkruan LAPSI.

Po të tregohej më i durueshëm, më tolerant dhe pa nxitimin e ankthshëm për të kapur gjithçka në PD, Sali Berisha, do ti kishte rikuperuar sot një pjesë të mirë të deputetëve që u distancuan me kohë nga Basha. Por ai i dënoi ata me mospërfillje dhe mori kundërpërgjigjen.

Prandaj, ndonëse sot në fasadë dukej si dita e triumfit të liderit historik, i cili po zgjedh Këshillin Kombëtar, kryesinë dhe pas një muaji do zyrtarizohet vetë në krye të partisë, e vërteta është pak më ndryshe. Incidenti që i ndodhi Sali Berishës në sallë, duke u rrëzuar përpara fjalimit, është simbolika më e qëlluar edhe asaj që i ndodhi në kuvend. Kjo është disfata reale e Berishës këtë 30 prill që nuk përkon aspak me slloganet e afishuara të bashkimit dhe hapjes. 


Video