
Mbyllja e ngushticës strategjike të Hormuzit po shqyrtohet seriozisht nga autoritetet iraniane, sipas raportimeve të mediave lokale që citojnë deklaratat e Esmail Kosari, anëtar i komisionit për sigurinë në parlamentin iranian.
Ngushtica e Hormuzit, që ndodhet mes Omanit dhe Iranit, është rruga më e rëndësishme në botë për transportin e naftës.
Edhe vetëm përmendja e mundësisë për mbylljen e saj ka shkaktuar tronditje në tregjet globale, duke sjellë rritje të çmimit të naftës.
“Izraeli është përmbajtur nga goditja në mënyrë të rëndë e infrastrukturës së naftës së Iranit. Nëse kjo ndryshon, pasojat do të jenë shumë më dramatike”, tha për Al Jazeera analisti i pavarur i çështjeve gjeopolitike, Taufiq Rahim.
Pse është e rëndësishme Ngushtica e Hormuzit?
Nëse kriza del jashtë kontrollit, skenari më i keq për ekonominë botërore do të ishte një bllokadë nga ana e Teheranit në ngushticën e Hormuzit.
Në këtë rast, ende hipotetik, Arabia Saudite do të mund të eksportonte ende të paktën 5 milionë fuçi në ditë, pak më pak se gjysma e kapacitetit të saj prodhues, përmes tubacionit lindje-perëndim që e lidh drejtpërdrejt me Detin e Kuq dhe Kanalin e Suezit.
Emiratet e Bashkuara Arabe gjithashtu do të mund të vazhdonin të eksportonin një pjesë të prodhimit të tyre.
Më i godituri do të ishte Katari, i cili detyrimisht kalon të gjithë gazin e tij natyror të lëngshëm nëpër ngushticën e Hormuzit.