
Fluturën e takova këto ditë si një nga të rinjtë më aktivë të kryeqytetit, por edhe ndër më frymëzuesit për mua këtë fillim viti. Pasioni me të cilin fliste për organizatën që drejtonte (Regional Youth Cooperation Office) nuk ishte i zakonshëm. Me sy të qeshur, por që thellë fshihnin një shikim të krisur, ajo të sfidonte me dashurinë që kishte për jetën dhe njerëzit, aq sa të fuste në mendime.
I kërkova të ndante me “Vox News” historinë e saj, e cila i ka të gjitha ndjesitë që njeriu mund të provojë në jetë, edhe pse Flutura është vetëm 30 vjeçe.
Flutura Brakaj (1995) ka lindur në një fshat të vogël të Mallakastrës, në Hekal.

“Ajo që kujtoj nga fëmijëria janë momente të thjeshta, të cilat i ndajmë shpesh me të afërmit si copëza kujtimesh. Ka pasur edhe momente të vështira, të cilat reflektohen ende sot në mënyrën si e shoh jetën dhe si përpiqem për të. Për shembull, kujtoj jetesën e përbashkët: ishim pesë persona, me vetëm dy dhoma, në një shtëpi të vogël që mezi na nxinte të gjithëve.”
Këto përvoja, në dukje të zakonshme për shumëkënd, kanë lënë gjurmë të forta në jetën e saj. Sot, Flutura vlerëson thjeshtësinë dhe nuk merr asgjë si të mirëqenë.
Humbja e nënës
Fëmijëria e Fluturës u thye në mes kur ajo ishte 8 vjeçe.
“Kam humbur nënën kur isha shumë e vogël. Unë isha 8 vjeçe, motra ime 6 dhe vëllai 10. Nëna ime vuajti nga një sëmundje në mushkëri, e cila, për shkak edhe të kushteve të vështira të asaj kohe, u përkeqësua shpejt. Edhe pse nuk kam shumë kujtime të drejtpërdrejta, e njoh nënën time përmes fotografive dhe përmes dashurisë e mirësisë që të gjithë flasin për të. Ato cilësi i kam ndjerë gjithmonë si diçka që më është përcjellë edhe mua.”

Ajo kujton edhe momentin e ndarjes nga jeta të nënës.
“Në atë moshë nuk e kuptoja plotësisht çfarë po ndodhte, por mbaj mend ndjesinë e fortë të kapjes pas njerëzve të afërt, si një fëmijë që kërkon siguri dhe shpjegim. Ishte një dhimbje që atëherë nuk dija ta emërtoja, por që më ka shoqëruar gjatë, ndoshta sepse askush nuk diti t’ia shpjegonte një fëmije 8-vjeçar këtë mungesë.”
Humbja e nënës, sidomos kur ndodh në fëmijëri, shënjon për gjatë gjithë jetës.

Raporti me babain
"Gjyshërit nuk i kam njohur, as nga ana e nënës, as nga ana e babait. Marrëdhënia me babain tim ishte e ndikuar shumë nga rrethanat dhe mentaliteti i kohës. Ai ishte shpesh në emigrim dhe kjo e bëri të vështirë praninë e tij fizike në jetën tonë. Megjithatë, e kam ndjerë gjithmonë si një baba që, në mënyrën e tij, ka dashur dhe është përpjekur brenda kufizimeve që kishte. Me nënën time ishin njohur dhe dashuruar vetë, ndaj e di me bindje që ne ishim fryt i dashurisë së tyre, pavarësisht rrethanave".
Pas humbjes së nënës, asgjë nuk ishte më si më parë. Buka e ngrohtë mungonte dhe askush nuk e zëvendësonte kujdesin e saj. Në këtë kohë, jeta e Fluturës, e motrës dhe e vëllait ndryshon rrënjësisht: ata largohen nga vendlindja dhe vendosen në Fshatin SOS në Tiranë.
“Familjarët tanë menduan se për ne duhej një drejtim tjetër. Babai, si prind i vetëm që punonte vazhdimisht, e kishte të pamundur të rriste tre fëmijë të vegjël në një fshat me kushte të vështira. Në vitin 2003 shkuam në Fshatin SOS, që atëherë shihej si një nga alternativat më të mira.”

Një fillim i vështirë, por vendimtar
Për shumë fëmijë, jetesa në një strukturë të tillë shoqërohet me rebelizëm. Por Flutura, edhe pse e mitur, vendosi të merrte më të mirën nga ajo që jeta i ofroi.
“Fillimi ishte shumë i vështirë. Gjithçka ishte e re. Por me kalimin e kohës e pashë si një mundësi të artë, një rinisje për ne të tre. Më shoqëronte shpesh shprehja: ‘Zoti nga një dorë të hedh, nga tjetra të pret’.”
Në shtëpinë SOS, me motrën, vëllain dhe fëmijë të tjerë, ajo filloi gradualisht të ndërtonte ndjenjën e përkatësisë. Me shkollën e re, mbështetjen psikologjike dhe kujdesin shëndetësor, u bë më e qetë dhe më e qëndrueshme.
Një rol shumë të rëndësishëm në këtë rrugëtim pati kushërira e saj, Xheni, e cila i ndoqi dhe i mbështeti si të ishin fëmijët e saj, me një dashuri pa kushte. Po aq të rëndësishëm ishin edhe mësuesit, edukatorët dhe punonjësit socialë që besuan tek ajo.

Fati në dorën e saj
Që nga ajo kohë, Flutura nuk u mor më me shkaqet. Ajo nisi ta ndërtonte vetë fatin e saj.
“Që herët kam qenë një vajzë që doja të edukohem. Shkruaja poezi, mësoja gjuhë të huaja, angazhohesha në vullnetarizëm. Në moshë të re përfaqësova Fshatin SOS në takime ndërkombëtare dhe kjo për mua ishte përgjegjësi, por edhe kënaqësi.”
Edhe pse u përball me bullizim dhe etiketime si “fëmijë pa prindër” apo “fëmijë i SOS-it”, ajo mësoi ta kthente këtë realitet në forcë.
Pa e kuptuar, ajo që shihej si dobësi u shndërrua në qëndrueshmëri, empati dhe vullnet për të ndryshuar. Për fëmijët që rriten në jetimore ekziston shpesh paragjykimi se e kanë të vështirë t’ia dalin në jetë, sidomos në momentin që lënë strukturën e kujdesit. Por Flutura duket se ishte përgatitur herët për këtë fazë.
“Forcë e madhe për mua ka qenë marrëdhënia me motrën dhe vëllain tim biologjik, por edhe me vajzat dhe djemtë me të cilët u rritëm bashkë në Fshatin SOS. Ata u bënë motra dhe vëllezër të jetës. Edhe sot ndajmë mbështetje dhe ndjesi si familje.”

Pas jetës në shtëpitë e SOS-it, ata kaluan në strukturat e Komunitetit Rinor, ku u krijua një bashkësi edhe më e madhe, me kujdes dhe udhëzim nga punonjës dhe liderë rinorë.
“Në fund të ditës, çdo zgjedhje ishte përgjegjësi personale, jo vetëm për veten time, por edhe për familjen biologjike dhe për atë që po ndërtonim bashkë. Kjo më dha forcë.”
Flutura tregon se njerëzit që iu bënë familje nuk ia prenë kurrë krahët, edhe kur mentaliteti dhe tabutë e kohës ishin të forta, sidomos ndaj vajzave.
“Kam ndjerë duartrokitje, krenari dhe mbështetje. Nuk doja t’i zhgënjeja. Prandaj i kam ndjekur udhëzimet me kërshëri dhe kam respektuar investimin që Fshati SOS ka bërë për mua. E kam përdorur këtë mundësi për t’u rritur dhe fuqizuar.”
“Jam produkt i shumë mamave dhe baballarëve”
Që e vogël, Flutura e dinte çfarë donte.
“ Doja të recitoja, të shkruaja dhe të botoja në gazetë. Nuk ishte e lehtë, por këmbëngulja më çonte përpara.”
Ajo studioi gjuhë të huaja, fillimisht në shkollën e mesme dhe më pas në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja. Studimet për të nuk ishin vetëm dije, por një derë drejt pavarësisë. Paralelisht, u angazhua në organizata dhe aktivitete sociale, me dëshirën për t’u kthyer të tjerëve atë që vetë kishte marrë. Një nga ëndrrat e saj ishte të shkonte në Gjermani për të praktikuar gjuhën, gjë që e realizoi përmes praktikave dhe angazhimeve vullnetare.

“Por gjithmonë e kam ditur se dua të kthehem.”
Pas rikthimit në Shqipëri, Flutura u angazhua profesionalisht në nivel rajonal dhe prej gjashtë vitesh punon në Regional Youth Cooperation Office – RYCO.
“Më ka udhëhequr gjithmonë dëshira për të kontribuar në fuqizimin e të rinjve, sidomos atyre që nuk kanë pasur gjithmonë qasje te mentorët apo organizatat me mision social. Ky angazhim lidhet drejtpërdrejt me fëmijërinë time.”
Ajo beson se secili njeri ka një mision dhe se i saji lidhet me drejtësinë sociale dhe ndryshimin.
“Jam produkt i shumë ‘mamave’ dhe ‘baballarëve’ – kujdestarë, edukatorë dhe njerëz plot mirësi, nga të cilët kam mësuar dhe kam marrë shembull. Ata më formësuan pa më larguar nga misioni im.”
Pa mllef, por me falje
Gjatë rritjes, Flutura nuk u përball gjithmonë me njerëz të ndjeshëm apo të drejtë.
“Ka pasur fjalë që kanë lënduar dhe situata të vështira. Por kam zgjedhur të mos i mbaj brenda vetes. Kam besuar se dhuna dhe indiferenca flasin më shumë për plagët e të tjerëve sesa për mua.”
Një shembull i rëndësishëm për të ka qenë marrëdhënia me babain.
“Para shumë vitesh i kam shkruar një letër ku i thosha se do ta doja gjithmonë në mënyrën time. Mënyra e tij për të treguar dashurinë ishte ndryshe, më e heshtur, e lidhur me mentalitetin dhe kohën.”
Ajo pranon se nuk është plotësisht e shëruar, por ka mësuar të punojë me “fëmijën e brendshëm” dhe ta kthejë ndjeshmërinë në forcë.
“Nuk jam pa plagë, por kam zgjedhur të mos i qasem së shkuarës me dhimbje, por me mësime.”
Humbjet dhe familja e re
Flutura tregon se babain e takonte edhe gjatë jetës në Fshatin SOS. Pushimet i kalonin në fshat, aty ku janë rrënjët e tyre dhe ku prehet nëna.
Edhe sot kthehet herë pas here, edhe pse fshati është pothuajse i boshatisur.
“Për mua mbetet gjithmonë fshati i zemrës sime.”
Humbja e babait gjatë pandemisë së COVID-19 ishte një tjetër goditje e fortë.
“Të thuash me zë se nuk kam më prindër ka qenë një nga gjërat më të vështira. Por koha të mëson se ata jetojnë brenda teje.”
Mungesa e prindërve e bëri Fluturën të hezitonte për një dasmë të madhe. Por ajo vendosi të festonte me njerëzit që donte më shumë, përfshirë bashkëshortin e saj, Petro.
“Ai është mbështetja ime më e madhe. Partneri që më jep qetësi dhe motivim për ta jetuar jetën bashkë.”
"Dita e dasmës ka qenë tepër emocionale për mua, dhe kam ndjerë se i kisha prindërit e mi pranë në një mënyrë tjetër përmes kujtimit dhe dashurisë. Vendosa këngët që më lidhin me ta, këngë dhe valle që babai im do t’i kishte kërcyer, dhe sinqerisht ndjeva sikur ata ishin të pranishëm në ditën e dasmës sime, në ditën më të lumtur të jetës sime, mes njerëzve që doja më shumë e kisha përzemër".
RYCO dhe misioni
Prej gjashtë vitesh, Flutura është e angazhuar në Zyrën Lokale të RYCO-s në Tiranë. Organizata synon të promovojë të nxënit ndërkulturor, dialogun, paqen dhe pajtimin përmes shkëmbimeve rinore në Ballkanin Perëndimor.
“Ne krijojmë platformën, por të rinjtë janë vetë agjentët e ndryshimit.”
Për të, puna me dhe për të rinjtë është privilegj dhe përgjegjësi.
“Në fund, RYCO ndërton ura dhe krijon hapësira takimi që përndryshe nuk do të ekzistonin.”
Historia e Fluturës është dëshmi se, edhe kur jeta të hedh fort, fati mund të ndërtohet me zgjedhje, punë dhe njerëz që besojnë tek ti.
Dhoma e Rrëfimit' rubrikë ekskluzive e VoxNews.
***
©CopyrightVoxNews
Ky artikull është ekskluziv i VoxNews, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar VoxNews dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.