
Entela Resuli
Ajo i përdor shumë ngjyrat, pasi vetëm ashtu mund të përcjellë botën e saj të brendshme.
Dëshiron që gjithçka rreth e rrotull saj të këtë drita, në të kundërt nuk do të ndihej mirë.
Anila Hetoja është piktore dhe marrëdhënien me estetikën e ka të fortë.
Ka lindur në Shkodër dhe jeton Tiranë. Në vitin 2006, familja e saj emigroi në Kanada, ku Anila nuk i lëshoi bojërat nga dora, përkundrazi, marrëdhënien me to e forcoi edhe më tepër.
Ekonomiku ka qenë fakulteti i saj i parë në Tiranë e më pas me largimin në Kanada zgjodhi të vazhdojë studimet pranë Universitetit “RCC Yorkwille” ku u diplomua me rezultate të larta në profilin “InteriorDesign”.
Disa vite më parë ajo u kthye në atdhe për t’u angazhuar këtu qoftë në pikturë, gjithashtu edhe në fushën e interiorit.
Anila ka me shume se 30 vite që pikturon dhe rreth 10 vite që aplikon “workingwithcups” e thënë në shqip punim me bojëra uji me kupa, e cila është një teknike e re dhe e veçantë në Shqipëri.
Sot sjellim një bisedë me Anilën të cilën mund ta quajmë ndryshe dhe “vajza e ngjyrave”.
-Anila, kur ka qenë kontakti yt i parë më ngjyrat?
Në moshë fare të vogël edhe tani që e kujtoj me duket sikur ndjej aromën e bojërave, u dashurova me ngjyrat dhe vazhdoj të jem edhe sot.
-Dukesh që përdor më tepër ngjyrat e forta?
Po jam dhe i përdorë shume në punimet mia, por jo në fushën e InteriorDesign (arredim të brendshme) pasi ngjyrat e forta krijojnë një ambient të ftohtë. Unë kur dizenjoj një ambient të brendshëm kam si synim të krijoj një ambient relaksues (Peacefull).
-Cila dhe kur ka qenë piktura jote e parë?
Një lëndinë me luledele, doja të përshkruaja atë ndjesi në telajo dhe të qëndronte aty përgjithmonë. Kam qenë një fëmijë i shkathët, ku pjesën time më të madhe e kam kaluar në aktivitete kulturore, në shtëpinë e pionierëve. Mbaj mend që vraponim të gëzuar mes lëndinave të gjelbërta dhe me plot luledele.
-Çfarë të frymëzon më tepër kur merr në dorë bojërat, ka një gjendje që të inspiron?
Frymëzohem nga natyra, jam e lidhur shumë me të. I adhuroj të gjitha stinët frymëzohem nga to më së shumti në pranverë, për mua pranvera është rilindje.
-Anila, na trego pak mbi teknikën që ti përdor për të pikturuar, peneli yt është gota plastike, apo jo?
Unë kam 5 vite që aplikoj teknikën me gota, kam studiuar teknikën e përdorimit të bojërave të ujit dhe mendoj që nga ana artistike jam në rrugën e duhur, pasi mendoj që me këtë teknike kam arritur aty ku duhet.
-Është e vështirë kjo teknikë?
Po, është shumë e vështirë, duhet kohë, durim dhe shumë punë për të arritur aty ku dëshiron.
– A ke të ngjashëm në botë që punojnë në këtë formë?
Mendoj se po, por shumë pak e aplikojnë këtë teknikë, sepse duhet shumë durim dhe shumë eksperiencë.
– Nëpërmjet ngjyrave t’i fsheh realitetin, apo vërtet e shikon botën me kaq shumë ngjyra?
Nuk më pëlqen ta shikoj botën bardhezi, më pëlqen që nëpërmjet telajos të përcjell tek artdashësit gëzim, dashuri, dhe këtë atmosferë e krijojnë më së miri ngjyrat të cilat unë nuk bëj dot pa to.
-Ndërkohë, ke studiuar në Kanada për “InteriorDesign”, na trego diçka më tepër, pse shkove pikërisht në Kanada dhe pse këtë degë?
Në Kanada u vendosëm me familjen. Që në Shqipëri mendoja që sapo të arrij në Kanada do filloj një shkollë arti, nuk doja vetëm pikturë pasi unë kisha një teknikë të veçantë në vizatim teknik, doja diçka më shumë, doja të dizenjoja karrige, mobilie të ndryshme, më lodheshin sytë kur shikoja një design në çdo familje, ngjyra bezhë që ende kur e kujtoj më trishton.
Pasionin tim për design e shpalosa në degën e InteriorDesign. Aty unë gjeta veten është një degë e bukur, por shumë e vështirë dhe do shumë impenjim.
Unë kisha shumë të vështirë pasi vija nga një dege tjetër ekonomik (studiova ekonomik pasi mendoja që do ishte më e lehtë për tregun e punës) pjesa më e madhe e studentëve kishin mbaruar në vendet e tyre design.
Di të them që vetëm falë talentit dhe dëshirës së madhe kam arritur të mbaroj studimet me rezultate të larta dhe me një profesion i cili është shumë i kërkuar në atë kontinent.
-E mendon këtë si një profesion i cili të jep mundësi të punosh?
Unë e ushtroj si profesion, por shumë pak, sepse akoma nuk është i njohur shumë në Shqipëri.
-Cilat janë punët e tua në këtë fushë, ku je përqendruar më tepër, te banesat apo hapësirat më të mëdha se sa kaq?
Më së shumti tek banesat, restorantet, lokalet, farmaci, por do më pëlqente më shumë të merresha me institucionet, si shkolla, kopshte, ambiente kulture, studio televizive, dizenjim parqesh në ambiente publike. Do të doja të sillja një frymë të re në ambientet që na rrethojnë. Unë dua vërtetë që ky vend të bëhet dhe më i bukur për ne, për fëmijët tanë.
-Ke një element që të identifikon në fushën e Interiorit, nëse po, cili është?
Drita! Ndriçimi natyral është pika ime e fortë, më pëlqen të krijoj (dramatik light) reflektime te dritës nga jashtë brenda.
-Cilat janë ngjyrat e kësaj periudhë në arredim?
Ngjyra e kaltër, e bardhë, e kuqe në portokalli.
-Aktualisht po jeton në Tiranë…?
Aktualisht jetoj në Tiranë. Po punoj për projektin tim të ri “Natyrë” ku do këtë punime me lindjen e diellit, perëndimin, fëmijë duke buzëqeshur në lëndina, do të këtë shumë jetë, shumë dashuri.
©CopyrightVoxNews
Ky artikull është ekskluziv i VoxNews, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar VoxNews dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.