Debatet politike kanë shoqëruar mbledhjen e Komisionit për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike, ku diskutimi për projektbuxhetin dhe paketën fiskale është shoqëruar me përplasje mes deputetit të Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, dhe kryetarit të komisionit, Ulsi Manja.
Bylykbashi ngriti akuza ndaj qeverisë dhe institucioneve të drejtësisë, duke iu referuar edhe pretendimeve të bëra publike nga Erion Veliaj në letrën e tij të bërë publike ditën e djeshme, ndërsa kërkoi dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie kujdestare për garantimin e zgjedhjeve të lira.
Bylykbashi: “Në historinë e vonshme janë të famshme dy forma ditarësh, Ditari i Ana Frankut dhe letra nga burgu e Antonio Gramshit. Dje morëm vesh edhe ditarin e Erion Veliajt. Përtej kësaj note, ajo që lexuam dje vlen të merret në konsideratë. Aty jemi përballe veprash penale të rënda. Debatet dhe rrjeti dje u mbush me kërkesa për Prokurorinë që të nisë hetimin për ato premtime për kërcënime të rënda që vinin në diskutim integritetin fizik të një personazhi.
Të gjithë e dimë se edhe një krimineli të rëndomtë është detyrë që t’i mbrohen të drejtat bazë. Ajo letër e djeshme grisi edhe SPAK-un, edhe GJKKO-në. Ato mund të dalin sot me deklaratë se ato që tha Veliaj janë të pavërteta dhe nuk qëndrojnë. Praktikisht edhe Veliaj, edhe ish-shefi i tij e kanë kuptuar mirë se çfarë është Reforma në Drejtësi. Produkti është që SPAK me urdhër të tij mund të rrisë akuzat dhe GJKKO mund ta kalbë në burg (Veliajn). Me këtë buxhet, njerëzit do të zhvaten shumë më tepër me taksa. Këtë tërmet fiskal shqiptarët kishin kohë pa e provuar.
Ato para në fund i shpërndajnë edhe ca thërrime për drejtësinë. Përpiqet prokuroria, gjykata dhe institucionet e pavarura të bëjnë diçka, por në fund mbetet qartazi mesazhi mafioz. Aty bie çdo gjë, jo çfarë kemi mësuar ne. Kushtetuta është bërë copash. Kryeministri është në gjendje të urdhërojë gjykatat sesi të burgosë kundërshtarët e vet politikë. Sesi për të njëjtën lloj akuze njëri është në burg dhe tjetra jashtë.
Zv.kryeministrja e akuzuar për korrupsion, Prokuroria nuk guxon ta çojë. Unë kam të drejtën të them se Prokuroria po bën politikë, sepse i duhen mazhorancës 84 vota. Ndalon e gjithë seanca, pushon gjithçka për të pritur Belinda Ballukun që të bëjë votën e 84-t. Kjo nënkupton se SPAK po luan lojë, sepse mund ta kërkonte masën shtesë pa e parë fare. Berishën e mbajti gati 1 vit nën arrest pa akuzë, me dyshime të arsyeshme.
Ato kërcënime që kanë dëgjuar shqiptarët dje, konfirmojnë edhe më fort atë që ka kaq muaj që përsëritet: Rama jepe dorëheqjen. Të vijë një qeveri kujdestare dhe të marrë pasa që shteti të mos ndërhyjë në zgjedhje. Parlamenti të garantojë kushtet për zgjedhje të lira dhe kur të jenë siguruar këto, të bëhen zgjedhjet. Më pas e kanë në dorë zgjedhësit. Ju po bëheni gati që të miratoni lakun në fytin e shqiptarëve me buxhetin. Këtë qëndrim kam për seancën e sotme”.
Nga ana tjetër, Manja i cilësoi deklaratat e opozitës si pjesë të një retorike të përsëritur politike, duke theksuar se mazhoranca ka përgjegjësinë të vijojë punën për miratimin e projektligjeve dhe të reformave në kuadër të integrimit europian të Shqipërisë.
Manja: “Kjo është një seancë shumë e rëndësishme, diskutimi i projektbuxhetit dhe paketës fiskale. Nuk është ndonjë risi kjo që Bylykbashi bëri këtu, madje është pjesë e një rituali të përgjithshëm që ka opozita, që në vend të ishte alternativë e qeverisjes, është kthyer në një zëdhënëse e aktualitetit politik dhe shoqëror.
Kjo është pjesë e tyre, ne kemi detyrën tonë të miratojmë ligjet që kanë të bëjnë me rrugën e Shqipërisë në BE. Nuk ka qeveri kujdestare, se këta një ditë e quajnë kështu, një ditë e quajnë qeveri teknike. Tani thotë të vetëshpërndaheni, e kuptoni tani? E dinë shumë mirë që arkitektura kushtetuese kështu është. Është mazhorancë që ka shumicë të theksuar, në fund të fundit nuk i ka ngelur gjë tjetër, vetëm t’i thonë vetëshpërndahu. Por kjo është çështje tjetër”.