“Po më provokoni?", Rama për protestën e studentëve: Nuk më kanë zgjedhur ata! Kërkojnë dorëheqjen, por refuzojnë dialogun

3 November 2026, 13:44Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

“Po më provokoni?", Rama për protestën e

Kreu i qeverisë Edi Rama, duke folur në Euronews Enlargement Summit, një forum i nivelit të lartë kushtuar zgjerimit të Bashkimit Europian dhe perspektivës europiane të vendeve aspirante për anëtarësim, u shpreh se vendi jonë ka ende probleme, por se qeveria po punon për t’i zgjidhur.

“Kemi probleme dhe po luftojmë që t’i zgjidhim, dhe procesi po na ndihmon ta bëjmë këtë gjë me mjete që nuk do t’i kishim. Nuk ka asnjëherë thelbësisht diçka ndryshe me BE-në, është një martesë ku çdo gjë është e parashikueshme. Kur bëhet fjalë për të marrë më shumë, është e lehtë ta parashikosh, kur ndodh të marrësh më pak, ndonjëherë nuk parashikohet.

Ne kemi punuar shumë, kemi dhe ne ato pengesat e brendshme dhe, pavarësisht tyre, jemi siguruar që ekipi ynë të jetë në kohë në Bruksel, me këta burokratë që janë alientë në botën reale, që dinë kaq mirë të të torturojnë dhe të nxjerrin më të mirën. Kështu që zgjedh, nëse i reziston torturës, fiton; nëse jo, shkon për dreq. E kam fjalën në ndjesi”, u shpreh Rama, duke folur më pas për protestat që kanë përfshirë vendin muajt e fundit, me “Flamingot” në fund të majit, dhe me studentët në 13 tetor.

 Rama u ndal sërish te bilanci i policëve dhe protestuesve të lënduar, që siç e ka deklaruar edhe më parë, ka pasur më shumë nga radhët e policisë sesa nga tubuesit.

“Për këtë, në raport me procesin e zgjerimit, për fat të mirë dhe të keq, kjo është më e ndërlikuar dhe do të dua një tjetër ditë për të shpjeguar gjithçka, por ajo që mund të them është që Shqipëria është në një tjetër fazë. Vjen një moment në kohë kur të duhet të përballesh jo më me nevojat, por me pritshmëritë e larta. E kam përjetuar personalisht dhe mund ta vlerësoj aty personalisht si një fuqi për të krijuar një përballje kryekëput skizofrenike me realitetin. Kishim protestues të dhunshëm dhe, ndryshe nga çdo vend tjetër që u përball me protesta, kishim dyfish më shumë policë të dëmtuar në krahasim me protestuesit. Por në mediat sociale shfaqej ndryshe”, tha Rama.

Drejtuesja e këtij debati, pas komentit të Ramës, u ndal dhe tha se nga ana tjetër protestuesit mund të thonë se nuk është njësoj, pasi policia është e armatosur, ndërsa ata jo.

Kësaj pyetje Rama i është përgjigjur me tone humori ose ironie.

“Po më provokon apo e ke seriozisht? Po më provon që të kemi debat mbi interesat?”, iu drejtua Rama gazetares, e cila iu përgjigj se “Jo, po të jap vetëm një shembull…”.

“Ditën që do të mendoj se unë nuk kam nevojë të ndryshoj, atëherë do ta lë këtë punë. Unë dua të ndryshoj. Jeta ime është në ndryshim edhe në shumë aspekte, edhe në martesë. Nuk do t’ju mërzis më me fakte se çfarë po ndryshojmë që kur Flamingot zbritën në shesh dhe ajo që është risi në veprimin e qeverisë, mes të tjerash, duke përdorur AI.

Ajo që po tentoj të them është që kjo nuk ka të bëjë me qeverinë dhe Shqipërinë, por me botën ku jetojmë dhe është një realitet që do të bëhet gjithnjë e më i vështirë për Europën dhe demokracinë. Ajo që ka nevojë për mbrojtje është mendja e të rinjve dhe fëmijëve, tani që janë krejt të pambrojtur dhe brenda mendjes së të cilëve, larg qoftë, mund të lindë Europa e së nesërmes, e drejtuar nga një lloj krejt ndryshe njerëzish.

Nuk po relativizoj atë që thonë protestuesit, po ju them thjesht që po jetojmë në përplasje realitetesh dhe që sapo ka zënë fill.

Unë jam një njeri që gjithmonë kërkoj të përballem me njerëzit, të sfidoj dhe të sfidohem, por nuk është e lehtë të thuash: “Po protestoj, por për çfarë? Eja diskutojmë”. Jo më thonë duhet të ikësh, nuk dialogojmë. Më falni, por këtë punë nuk ma dhatë ju, por populli shqiptar.

Nuk flasim, nuk ka dialog, por thelbi i çështjes është se, ndryshe nga vendet e tjera, kjo fazë e re e dhunës ka si karakteristikë një numër të vogël njerëzish, jo popullin shqiptar. Pra, janë ata njerëz që janë në rrugë dhe mendojnë se duhet të iki”, tha Rama duke nënkuptuar edhe një herë se nuk ka dorëheqje prej tij, dhe se mbetet i hapur për të dialoguar me protestuesit.


Video