
Këto pamje dramatike të emigrantëve ilegalë që vrapojnë për të marrë gomonen drejt ujërave të kanalit të La Manshit i përkasin vitit 2022. Shqipëtarët zbuluan rrugën e kalimit ilegal drejt Britanisë nëpërmjet gomoneve të vogla nga Dunkirk dhe Calaise.
Përgjatë 2022shit ishte piku i kalimit të shqiptarëve drejt ishullit britanik. Kjo çështje, u përdor në politikën e ditës në Britani nga grupet anti-emigracion duke përfshirë në debat edhe palën shqiptare që e konsideroi sjellje diskriminuese.
Sipas statistikave zyrtare, rreth 45 mijë persona shkuan me gomone në Angli në 1 vit. Rreth 12-13 mijë ishin shqiptarë. Pra, vendi ynë përbënte rreth 27% të shifrës totale, duke ia kaluar dhe shtetasve nga Irani apo Afganistani.
Megjithatë, situata duket se ka ndryshuar shumë me 4 vite më parë. Politikat shtrënguese dhe realiteti i paraqitur nëpër kampe ka bërë të vetën duke i frenuar shqiptarët.
Inside Story ka udhëtuar drejt Dunkirk për të parë nga afër nëse rruga e gomoneve është sërish e aplikuar nga shqiptarët, apo janë gjetur alternativa të tjera për të vazhduar emigrimin ilegal.
Këtu jemi në kampin e Dunkirkut. Siç shihet, kampi mbetet mjaft i populluar nga persona që duan të largohen nga vendet e tyre të origjinës për të arritur ëndrrën e madhe, tokën e premtuar të Anglisë.
Policia franceze mbetet kryesisht spektatore, pasi nuk bën diçka të madhe për të parandaluar këta emigrantë që synim kanë vetëm vendin ishullor. Në pamjet e siguruara nga kamerat tona, shihet qartë se uniformat blu afrohen për presion, shkatërrojnë kampin, por nuk ndikojnë realisht për të shmangur flukset drejt vendit fqinj.
Shkatërrimet e marketit të kampit, apo disa çadrave, rikuperohen për punë orësh dhe gjithçka kthehet në normalitet. Situata nuk ka ndryshuar shumë nga 4 vite më parë, pasi drama njerëzore, mbetet e njëjtë dhe ndotja e madhe mund të shkaktojë epidemi shumë thjeshtë.
Fatmirësisht, gjatë qëndrimit tonë disa ditor aty, jo vetëm që nuk dëgjuam të flitej shqip si dikur, por nuk gjetëm asnjë shqiptar të vetëm në kampin e Dunkirkut.
Të vetmit shqiptarë ishin ekipi ynë. Megjithatë, ndryshe nga 4 vite më parë, të bënte përshtypje që shihje më shumë gra dhe fëmijë. Ishte rritur numri i udhëtarëve me familje. Shpesh, qëndrimi tranzit ishte aq i gjatë sa banorët e kampit mbarështonin edhe shpendë konsumi.
Kurdët ishin sërish personat që kontrollonin kampet, ashtu si 4 vite më parë, pavarësisht se në atë periudhë u shigjetuan padrejtësisht shqiptarët. Po këta persona siguronin mjetet e lundrimit dhe u siguronin fitimet, njëjtë si në vitin 2022. Pagesa e emigrantëve bëhej cash në vend ndërsa pylli aty pranë shërbente për fshehjen e parave.
Kanali i La Manshit, po ashtu, ishte bërë një rrugë e preferuar dhe për persona nga Filipinet dhe Vietnami. Mjafton të shohësh distancën në hartë për të kuptuar se sa larg kishin udhëtuar dhe sa shumë sakrifica kishin ndërmarrë për të ardhur drejt Francës, në mënyrë që të shkonin në Angli.
Megjithatë, vizita jonë në Francë, në kampin e emigrantëve nuk ishte e rastësishme. Pikërisht pas hovit të klandestinëve me gomone në vitin 2022, një formë e re emigrimi ilegal është pikasur nga Prokuroria e Posaçme. SPAK ka kryer një hetim madhor, ndaj një grupi të strukturuar. Inside Story ka siguruar dosjen e plotë hetimore me 29 masa shtrëguese, një dosje që zbulon epokën e re pas goditjes së aktivitetit të gomoneve.
Gjatë viteve 2022-2024 është dokumentuar veprimtaria kriminale e grupeve kriminale të lidhur me dhënien ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve në rrugë detare, ajrore dhe tokësore, kryesisht të shtetasve shqiptarë me qëllimin udhëtimin e tyre drejt Mbretërisë së Bashkuar, Amerikës dhe Kanadasë. Gjatë hetimit janë dokumentuar të gjitha fazat e kryerjes së kësaj veprimtarie dhe personat e përfshirë në të.
Si vidheshin identitetet e evropianëve dhe prodhoheshin pasaporta për emigrantët shqiptarë...
SPAK ka identifikuar personat e përfshirë në një rrjet të gjerë të prodhimit të dokumenteve false dhe ndihmës për kalim të jashtëligjshëm të kufijve.
Po ashtu janë gjetur ndërmjetësit e personave shqiptarë që kërkonin për të udhëtuar në Mbretërinë e Bashkuar, Kanada, apo Amerikë, pa harruar dhe mënyrën e pagesave.
Agjensitë e udhëtimit “Boris Travel” dhe “Domi Travel”, kujdeseshin për transportimin e dokumenteve të falsifikuara dhe personave që kërkonin të udhëtonin me to. Po ashtu, merreshin me akomodimin, dhe udhëzimet e emigrantëve për itinerarin.
Hetimi është shtrirë në bashkëpunim me autoritetet spanjolle që kanë bashkëpunuar në goditjen e veprimtarisë kriminale.
Në kuadër të bashkëpunimit me autoritetet e drejtësisë së shtetit të Spanjës është krijuar në vitin 2023, skuadër e përbashkët hetimore me autoritetet gjyqësore të Tarragonës dhe nëpërmjet përdorimit të metodave speciale të hetimit, si përgjime telefonike, në vende private automjete, në zyra të agjensive të udhëtimit, si dhe veprimeve simuluese-blerje të dokumentave të falsifikuara dhe agjentit të infiltruar është dokumentuar mënyra e të vepruarit të këtij grupi kriminal.
Nga tërësia e hetimeve, SPAK thotë se provohet që drejtuesi i grupit është shtetasi Bashkim Sula, i cili ka lidhje me të gjithë të pandehurit e tjerë. Ai kujdeset për prodhimin e dokumenteve të falsifikuara, deri te mbërritja në Mbreterinë e Bashkuar, nëpërmjet Irlandës së Veriut. Pasaportat e falsifikuara janë kryesisht sllovene, italiane ose rumune. Prodhimi i tyre kryhet në Kosovë dhe Shqipëri.
Sipas gjetjeve të Prokurorisë së Posaçme, shtetasit Xhelal Krasniqi dhe Fitim Rama, shqiptarë të Kosovës sigurojnë pasaportat e falsifikuara që prodhohen në Kosovë. Këto dokumente futen në territorin shqiptar dhe dorëzohen dorazi tek Njazi Ademaj. Ky i fundit, njihet si ndërmjetësi dhe kontaktohet nga personat që kërkojnë të udhëtojnë. Ai diskuton mbi detajet, mënyrën e pagesës si dhe përcjell dokumentat e nevojshme si fotografi, gjeneralitetet, dokumentet e duhura të identifikimit që shërbejnë më pas për të prodhuar dokumentet e falsifikuara.
Ademaj mban kontakte me një tjetër pikë kyçe të grupit, shtetasin Ylli Brahimaj që po ashtu siguron dokumente false. Më pas, futet në lojë agjencia “Domi Travel” me ortak Rrezart Domin. Pjesë e dosjes janë edhe të punësuarit e agjencisë, shtetasit Osman Luca, Artur Mici, Emilajn Marashi, Adrian Mema, Jugert Gashi, Maksin Domi dhe Arsen Caka. Ata janë personat që i transportojnë drejt Spanjës, kryesisht në Terragonë.
Në raste të caktuara, transporti kryhet përmes rrugëve tokësore. Në rast se personat udhëtojnë në rrugë ajrore, ata udhëzohen dhe akomodohen në të njëjtat hotele me drejtuesit e automjeteve. Ata takohen më pas dhe udhëzohen për rrugën që duhet të ndjekin dhe u jepen kontaktet e personave që do ti presin në Irlandën e Veriut.
Gridi Elezi është një tjetër personazh që akuzohet se u gjen grupit kriminal dokumenta të falsifikuara në mënyrë që të ndjekin rrugën e emigrimit ilegal për të arritur në destinacionet e tyre.
Gjatë hetimit janë dokumentuar mbi dyzet e katër raste të shtetasve shqiptarë për përdorim të pasaportës së falsifikuar në aeroportet e Spanjës, kryesisht Barcelonë, e të tjera si dhe është dokumentuar aktiviteti i prodhimit dhe i sigurimit mbi të paktën shtatëdhjetë pasaportave dhe i një tërsie kartash të tjera identifikimi dhe patenta.
Edhe në këtë veprimtari të mirëfilltë kriminale nuk mungonte implikimi i njerëzve të ligjit. Efektivi i policisë Roland Islamaj, provohet se ka pasur dijeni në lidhje me aktivitetin e trafikut, por, nuk ka marrë asnjë masë për ta parandaluar, kallëzuar, apo referuar këtë grup kriminl sipas SPAK.
Kjo është skema e grupit kriminal në formë hirearkike, me pozicionin e secilit prej individëve të përfshirë në këtë aktivitet sipas dosjes së prokurorisë.
Referuar dosjes së SPAK, thuhet se prokurorja e çështjes, Elida Kaçkini, ka prova të mjaftueshme që vërtetojnë akuzat e ngriytura ndaj grupit.
Ndër provat kryesore të gjetura janë dhe bisedat që kanë bërë palët mes tyre për të arritur qëllimin e përbashkët të kalimit të personave nga Shqipëria drejt Anglisë, Amerikës dhe Kanadasë.
Në një nga bisedat e përftuara është ajo ndërmjet Njazi Ademajt, personit që ishte ndërmjetës dhe Rrezart Domit, drejtuesit të agjencisë së udhëtimit “Domi Travel”.
Njazi Ademaj: Mgjes o dagja. 1 për të shtunën është në Kukës. Mos harro. Gjeja 1 vend të mirë.
Rrezart Domi: Po dagja.
Biseda zhvillohet për personin me inicialet Sh. Gj, i cili ka porositur një pasaportë të falsifikuar te Njazi Ademaj për të shkuar në Irlandë. Ademaj, pasi ka siguruar dokumentetin nga Bashkim Sula, ka marrë përsipër që ta dërgojë nëpërmjet agjencisë “Domi” në Spanjë, nëpërmjet Rrezart Domit. Ky i fundit më pas e ka lënë në dorën e shoferit Arsen Caka. Emigranti Sh.Gj ka udhëtuar drejt Spanjës, po ashtu me furgonat e të njëjtës kompani, për ta pasur një rreth ciklik të të gjithë veprimtarisë.
Gjatë udhëtimit, pasaportën false e ka mbajtur shoferi i agjencisë për siguri në pikat kufitare, duke e kamufluar thjesht si aktivitet transporti të një dokumenti legal.
Më datë 26 shtator 2023, Arsen Caka, i ka dërguar në aplikacionin WhatsAap, Njazi Ademajt një foto të pasaportës së falsifikuar. Bëhet fjalë për një pasaportë sllovene, me të dhënat e shtetasit Stanko Linkar, i datëlindjes 14 shkurt 1996.
Me datë 2 tetor 2023, Njazi Ademaj i shkruan sërish shoferit ku i kërkon të dorëzojë pasaportën, pasi kishte mbaruar punë me lekët dhe ishte në rregull.
Mirmëngjes, o ma i madhi në vend. A t’ja jap numrin atij qunit. Kam maru pun me leket. Epja ate.
Ndërkohë, personi që ka marrë pasaportën e falsifikuar, më pas është ndaluar nga autoritetet spanjolle duke tentuar të kalojë drejt Irlandës së Veriut.
Nga bashkëpunimi me aurotietet policore spanjolle, provohet që shtetasi Sh.Gj, me datë 5 tetor 2023 është arrestuar në aeroportin El Prat-Barcelonë me dokumente të falsifikuara dhe konkretisht një pasaportë sllovene me të dhënat e shtetasit Stanko Likar, po ashtu dhe me një kartë identieti sllovene dhe leje drejtimi me të njëjtin emër. Arrestimi i këtij u bë në momentin që ky shtetas po tentonte të hipte në avionin për në fluturimin Barcelona-Dublin.
Kjo është vetëm maja e ajsbergut e kësaj skeme trafikimi të emigrantëve ilegalë. Detajet në vijim do të zbulojnë momente të forta të përgjimeve për mënyrën se si operojnë këto grupe në terren...