
Numri i abonentëve të internetit nga linjat fikse iu kthye rritjes në tremujorin e tretë të vitit. Të dhënat e Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) tregojnë se numri i abonentëve në fund të muajit shtator arriti në pak më shumë se 611 mijë, në rritje me 1.2% krahasuar me tremujorin e mëparshëm dhe 7.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Në vitet e fundit, tregu i internetit nga linjat fikse ka ndjekur një tendencë të qëndrueshme në rritje, edhe për shkak të një baze relativisht të ulët dhe prapambetjes në depërtimin e linjave fikse. Tashmë, AKEP vlerëson se tashmë norma e penetrimit të aksesit broadband nga rrjete fikse ishte mbi 81% për familje, megjithatë ky raport mbështetet në numrin e përgjithshëm të abonentëve, duke përfshirë edhe bizneset. Nga ana tjetër, sipas burimeve nga tregu, disa operatorë kanë tendencën të raportojnë shifra më të larta të abonentëve nga sa kanë në të vërtetë, kryesisht duke mos reflektuar në statistika abonentët që largohen drejt kompanive të tjera. Për këto arsye, depërtimi real i internetit mund të jetë disi më i ulët nga sa tregojnë statistikat.
Megjithatë, tregu në përgjithësi po shfaq rritje dhe konkurrencë të lartë, veçanërisht në qendrat e mëdha urbane, ku përqendrimi i popullsisë është më i madh. Gjithashtu, gradualisht operatorët kanë përditësuar infrastrukturën drejt teknologjive më të reja, të fibrës optike, që ka ndikuar në rritjen e shpejtësisë mesatare të lidhjes për përdoruesit.
Volumi i tregut të shërbimeve të komunikimit nga rrjetet fikse vitin e kaluar arriti në afërsisht 11 miliardë lekë, me një rritje prej 14.5% krahasuar me një vit më parë.