Serbia pengon eksportet shqiptare që hyjnë nga Kosova

1 February 2022, 17:34Biznes SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Serbia pengon eksportet shqiptare që hyjnë nga Kosova

Shoqatat e eksportuesve këshillojnë bizneset që të shmangin Kosovën nëse duan që mallrat që duan të eksportojnë në drejtim të Serbisë të përfitojnë nga marrëveshja e “Ballkanit të Hapur”.

Eksportuesit thonë për Voxnews.al se autoritetet serbe jo vetëm që nuk po zbatojnë Ballkanin e Hapur për dërgesat që hyjnë në Serbi nga Kosova, por kanë shtuar pengesat e burokracitë edhe për rregullat e mëparshme. Ata e lidhin këtë me një vendim më shumë politik se sa teknik.

Shoqatat deklarojnë se nga Maqedonia e Veriut nuk është shfaqur një problematikë e tillë për produktet shqiptare, ndryshe nga situata dhe raportimet që disa biznese kanë bërë për bllokimin dhe kontrollin e tyre për dërgesat që kalojnë tranzit nga Kosova.

Por, një pjesë e eksportuesve thonë se bllokimi dhe kthimi mbrapsht i prodhimeve shqiptare nga pala serbe shpesh është e pabazuar. I tillë është rasti i denoncuar nga eksportuesi Rrapi Hazizi. Ai thotë se para se të niste kamionin me 10 perime të ndryshme për në Serbi, i analizoi ato në një laborator të akredituar dhe analizat dolën krejtësisht në rregull.

Por, autoriteti serb që kontrollon ushqimin, vendos të rianalizojë kamionin që ishte i ngarkuar me perime dhe nga analizat e tyre doli që speci i kuq kishte ngarkesë të lartë pesticidesh. Agronomët thonë se sa më shumë kohë të kaloj, aq më lehtë shpërbëhet lënda active e pesticidit. Por çuditërisht analiza e dytë e bërë në Serbi tregoi të kundërtën.

Edhe pse eksportuesi, sipas Top Channel, kërkoi rianalizim të produktit në një shtet tjetër të BE-së, kjo kërkesë u rrëzua nga shteti serb, për pasojë vendimi u mor që speci i kuq të groposej. Dëmi ekonomik që iu bë eksportuesit Rrapi Hazizi kap vlerën e 9 mijë eurove, ai thotë se pas kësaj ngjarje Ministria e Bujqësisë shqiptare ka kontaktuar me Ministrinë e Bujqësisë serbe, për t’i kërkuar korrektesë në kontrollin ushqimor që u bëhet prodhimeve bujqësore shqiptare. / Voxnews.al

 


Video