"Sazan Real Estate" reagon pas protestave në Tiranë: Zhvillimin do ta vendosë Shqipëria dhe shqiptarët

24 Qershor 2026, 18:38Biznes SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Kompania Sazan Real Estate Development ka reaguar publikisht lidhur me projektin në ishullin e Sazanit dhe zonën e Zvërnecit, ndërsa një raportim i CBS News sjell detaje të reja mbi strukturën e investitorëve dhe qëndrimin e zhvilluesve përballë protestave që kanë hyrë në javën e katërt.

Në një deklaratë për median amerikane, kompania thekson se projekti nuk është ende përfundimtar dhe ndodhet në fazën e projektimit.

“Ky projekt është ende në fazën e projektimit dhe zhvillimit, ndërsa ekipi ynë vazhdon të përsosë shtrirjen, qasjen dhe vizionin e tij përmes një procesi që i jep përparësi mbrojtjes së mjedisit dhe promovimit të bukurisë natyrore të Shqipërisë,” thuhet në deklaratë.

Sazan Real Estate shprehet se pret të vijojë dialogun publik mbi projektin, duke e konsideruar atë një mundësi për ta bërë Shqipërinë një destinacion edhe më të rëndësishëm turistik në nivel global.

Raportimi i CBS News zbulon gjithashtu se mes investitorëve të projektit janë edhe vëllezërit Moutaz dhe Ramez Al Khayyat, miliarderë me bazë në Katar dhe drejtues të Assets Group. Një përfaqësues i kompanisë konfirmoi për herë të parë për median amerikane përfshirjen e tyre në investim.

Sipas dokumenteve të shqyrtuara nga CBS News, Sazan Real Estate është regjistruar fillimisht në Katar, ndërsa rezulton kompania mëmë e Zvërnec South Adriatic Development, shoqërisë që sipas raportimeve lokale zotëron lejen për zhvillimin e projektit në ishullin e Sazanit dhe në zonën e Pishë Poro-Nartës.

Më herët, më 12 qershor, drejtori i Sazan Real Estate Development LLC, Asher Abehsera, reagoi për herë të parë publikisht përmes një postimi në platformën X, ku deklaroi se prej katër vitesh kompania po punon për krijimin e “një destinacioni të klasit botëror në bregdetin shqiptar”.

“Për katër vite kemi punuar për të krijuar një destinacion të klasit botëror në bregdetin shqiptar, të bazuar në dizajn të kujdesshëm, mbrojtje të mjedisit dhe mundësi ekonomike afatgjata”, shkroi ai.

Sipas Abehserës, synimi i projektit është të promovojë bukuritë natyrore të Shqipërisë, të krijojë vende pune dhe të ndërtojë një investim për të cilin brezat e ardhshëm mund të jenë krenarë.

Ai përsëriti edhe një mesazh që rikthehet në deklaratën për CBS News: “E ardhmja e këtij projekti do të përcaktohet përfundimisht nga Shqipëria dhe populli shqiptar.”

Raportimi i CBS News vjen në një moment kur protestat kundër projektit kanë hyrë në javën e katërt dhe janë shndërruar në një lëvizje më të gjerë kundër qeverisë dhe establishmentit politik.

Aktivistët pretendojnë se nuk ka pasur konsultim publik për zhvillimin e resortit dhe se ndërhyrjet e para kanë shkaktuar dëme në zonën e mbrojtur të Pishë Poro-Nartës.

Nga ana tjetër, zhvilluesit këmbëngulin se projekti është ende në fazë konceptimi dhe se fokusi i tyre mbetet administrimi i përgjegjshëm i territorit, mbrojtja e mjedisit dhe krijimi i vlerës afatgjatë për komunitetet lokale.


Video