Rritet numri i pagesave me kartë në vitin 2023, shënojnë rekord të ri historik

15 February 2024, 10:41Biznes SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Rritet numri i pagesave me kartë në vitin 2023, shënojnë

Pagesat me kartë bankare regjistruan përsëri një rritje të fortë vitin e kaluar dhe prekën vlerat më të larta historike në numër dhe në vlerë transaksionesh.

Sipas statistikave nga Banka e Shqipërisë, gjatë vitit 2023 pagesat me kartë në terminalet POS (pikat elektronike të shitjes) arritën në pothuajse 14.5 milionë, me një rritje prej 35% krahasuar me një vit më parë.

Në vlerë transaksionesh, pagesat me kartë vitin e kaluar arritën në 64.1 miliardë lekë, 26.6% më shumë krahasuar me vitin 2022.

Për vitin 2023, volumi i pagesave në terminale POS përbënte 14.5% të vlerës totale të veprimeve me karta, nga 13.9% që kishte qenë pesha e këtyre veprimeve një vit më parë.

Pagesat me kartë po nxiten sidomos nga rritja rekord e turizmit hyrës. Kërkesa nga turistët e huaj për të paguar me kartë po shtyn një numër më të madh biznesesh të pranojnë pagesa me këto instrumente.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, numri i terminaleve POS për pranimin e pagesave me kartë në fund të vitit të kaluar arriti shifrën rekord prej në 19 184, në rritje me 18.2% krahasuar me një vit më parë.

Po kështu në fund të vitit 2023 numri i kartave bankare aktive arriti në 1.43 milionë, në rritje me 4.6% krahasuar me një vit më parë. Numri i kartave të debitit arriti në 1.24 milionë, në rritje vjetore me 5%. Ky produkt ngelet dominues dhe përbën pothuajse 87% të numrit të përgjithshëm të kartave bankare. Karta e debitit është një instrument bazik pagese, i lidhur me llogaritë rrjedhëse të bizneseve dhe individëve.

Ndërkohë, viti 2023 ishte pozitiv edhe në segmentin e kartave të kreditit. Në fund të vitit të kaluar, sektori bankar raportonte pothuajse 120 mijë karta krediti aktive, me një rritje vjetore prej 6.6%. Megjithëse zhvillimi i këtij produkti në tregun shqiptar ngelet ende i dobët, numri i kartave të kreditit ka arritur shifrën më të lartë historike.

Verën e kaluar, Komisioni Europian rekomandoi Shqipërisë vendosjen e një shume tavan për pagesat me para fizike. Në raportin e fundit të analizës së përputhshmërisë së Shqipërisë me kuadrin ligjor dhe rregullator komunitar, Komisioni Europian vlerësonte se vendi ynë është vetëm pjesërish në përputhje me kuadrin e Bashkimit Europian për sa i përket hetimit të pastrimit të parave. Pavarësisht progresit të fundit, legjislacioni i Shqipërisë është pjesërisht i përafruar me atë të BE-së në këtë fushë.

Një kërkesë e ngjashme për vendosjen e një tavani për pagesat cash është shprehur prej vitesh edhe nga Shoqata Shqiptare e Bankave. Sipas Shoqatës së Bankave, ulja e parasë fizike në qarkullim dhe në transaksionet tregtare është një sfidë dhe kërkesë për një ekonomi më të organizuar, më të matshme, më të disiplinuar dhe më të qëndrueshme.

 


Video