
Gjashtë ekonomitë e Ballkanit Perëndimor duhet të investojnë të paktën 37 miliardë dollarë gjatë dhjetë viteve në vijim për një mbrojtje eficiente të qytetarëve dhe pasurive të tyre nga ndikimet dëmtuese dhe në përshkallëzim të ndryshimeve klimatike, thotë Raporti rajonal për Klimën dhe Zhvillimin në Vendet e Ballkanit Perëndimor (CCDR) i Grupit të Bankës Botërore.
Përfitimet nga veprimet në kuadër të klimës do të ishin tejet të konsiderueshme për Ballkanin Perëndimor, i përbërë nga Shqipëria, Bosnje dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia. Investimet në këtë kuadër do të ndihmonin në shmangien e humbjeve të jetëve njerëzore, pasurive dhe rënies së prodhimtarisë, si dhe do të kontribuonin në rritje më të shpejtë ekonomike.
Për këtë rajon, që aktualisht është i ndikuar seriozisht nga ndryshimet klimatike, mosveprimi nuk është alternativë e mundshme. Për shembull, përmbytjet kanë pasur ndikim të drejtpërdrejtë mbi dy milion njerëz gjatë dhjetë viteve të fundit, ndërkohë që ndikimet priten të përkeqësohen në kuadër të reshjeve më ekstreme që priten. Zjarret janë një tjetër kërcënim gjithnjë e më i madh. Thatësirat po ndikojnë negativisht prodhimin bujqësor, ndërsa valët e të nxehtit po rrisin ndotjen e ajrit, duke shkaktuar mijëra vdekje të parakohshme në Ballkanin Perëndimor çdo vit.
Sipas vlerësimeve të Bankës Botërore, investimet për përshtatjen me ndryshimet klimatike, veçanërisht në ekonomitë me të ardhura të ulëta dhe të mesme, sjellin përfitime të konsiderueshme, ku çdo 1 dollar i investuar përkthehet në rreth 4 dollar përfitime.
Vendet e Ballkanit Perëndimor gjithashtu duhet të pakësojnë shkarkimet e gazrave serrë, me qëllim që të vijojnë të konkurrojnë, të përforcojnë sigurinë e energjisë dhe të tërheqin investime ndërkombëtare. Megjithatë, arritja e neutralitetit klimatik deri në vitin 2050 në përmbushje të objektivave evropianë, do të kërkonte investime shtesë me vlerë prej 32 miliardë dollarë.
Shkarkimet e gazrave serrë në nivelin zero neto në mbarë ekonominë deri në vitin 2050 janë të arritshme nëse energjia diellore, e erës dhe ajo hidrike arrijnë të prodhojnë 95% të të gjithë energjisë, çka do të përbënte rritje të konsiderueshme krahasuar me nivelin aktual të një të tretës të të gjithë prodhimit energjetik.
Për më tepër, shkarbonizimi i sektorit të ndërtimit përmes investimeve për eficiencën e energjisë është element thelbësor. Edhe sektori i transportit duhet të transformohet thellësisht përmes uljes së kërkesës për mjete dhe kalimit drejt mënyrave më të qëndrueshme të transportit dhe tranzicionit drejt mjeteve elektrike.
Grupi i Bankës Botërore po ndihmon vendet të frenojnë shkarkimet e karbonit dhe të rrisin aftësitë ripërtëritëse ndaj motit ekstrem. Grupi po përcakton një pikësynim ambicioz për t’i kushtuar 45% të financimeve të veta veprimeve klimatike brenda vitit 2025, të cilat do të ndahen në mënyrë të barabartë ndërmjet zbutjes dhe përshtatjes. Gjatë viteve fiskale 2023 dhe 2024, Banka Botërore angazhoi rreth 1,2 miliardë dollarë për financime që lidhen me klimën në Ballkanin Perëndimor.