Rimbursimi i TVSH për bizneset, Mete u kërkon tatimeve të përshpejtojnë procedurat

15 December 2023, 13:41Biznes SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Rimbursimi i TVSH për bizneset, Mete u kërkon tatimeve të

Ministri i Financave dhe Ekonomisë, z. Ervin Mete ka kërkuar nga Administrata Tatimore që të trajtojë me përparësi dhe në mënyrë të përshpejtuar procedurat e rimbursimit të TVSH-së, për të gjitha bizneset, për të mos pasur detyrime të mbartura për vitin e ardhshëm.

Përshpejtimi i këtyre pagesave pritet që të krijojë pak frymëmarrje sidomos tek kompanitë eksportuese, të cilat po vuajnë si rrjedhojë e rënies së euros.

Mete vuri në dukje ecurinë e mirë të mbledhjes së të ardhurave deri më tani, e cila pritet të vijojë deri në fund të vitit.

Ministri i Financave i bëri këto deklarata në Këshillin e Investimeve, në takimin e fundit për vitin 2023, me temë diskutimi “Konsultimi i reformave strukturore të Programit të Reformave Ekonomike 2024-2026”.

Në fjalën e tij, Ministri Mete bëri fillimisht një përmbledhje të ecurisë së mirë të ekonomisë përgjatë vitit 2023, duke theksuar rritjen e investimeve të huaja direkte në 1.1 miliardë euro për 9-mujorin, uljen e papunësisë në 10.5 % dhe rritjen e pjesëmarrjes në forcat e punës në shkallën 76.1%, si dhe zhvillimet pozitive në sektorin e turizmit ku numri i vizitorëve deri në nëntor arriti në 9.5 milionë.

Duku u ndalur te tema e takimit, Ministri theksoi rëndësinë e Programit të Reformave Ekonomike, nisur edhe nga fakti se Komisioni Europian publikoi pak javë më parë Planin e Rritjes për vendet e Ballkanit Perëndimor, i cili parashikon 6 miliardë euro fonde për 3 vitet e ardhshme. Nga këto fonde, Shqipëria pritet të përfitojë rreth 1 miliardë euro, në varësi të progresit dhe avancimit të reformave.

Në këtë kuadër, Ministri tha se përfshirja sa më e gjerë e komunitetit të biznesit në formësimin e këtyre reformave do të krijojë baza më të qëndrueshme për arritjen e objektivave.

Nga ana tjetër, Ministri informoi se synohet zgjerimi i mëtejshëm i anëtarëve të Këshillit të Investimeve me përfaqësim sa më të gjerë nga komuniteti i biznesit, si një forum i rëndësishëm në dialogun dhe bashkëpunimin Qeveri-Biznes.


Video