Rekord skanimesh për kontenierët në pikat doganore. Sa ishte kostoja për bizneset dhe buxhetin në vitin 2023?

13 Qershor 2024, 11:46Biznes SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Numri total i skanimeve të kontenierëve në të gjitha pikat doganore për vitin 2023 ka arritur rekord krahasuar me vitet e mëparshme. Referuar raportit vjetor të ministrisë së Financave lidhur me perfomancën e koncesioneve, rezulton se në 2023 regjistrohen 265,196 skanime në total.  Në krahasim me vitin 2015 kur numri i skanimeve doganore ishte afro 14,655, rritja regjistrohet në 18 fish më shumë, shifër e cila vjen edhe nga rritja e shkëmbimeve tregtare.

Ky shërbim ofrohet përmes kontratës koncesionare /PPP “Financimi, ngritja dhe operimi i shërbimit të skanimit të konteinerëve e automjeteve të tjera në Republikën e Shqipërisë,  nënshkruar me kompaninë “S2 Albania shpk”, e cila është miratuar fillimisht në vitin 2013 dhe është ndryshuar më pas në vitin 2015 për shkak të kundërshtimeve nga bizneset lidhur me tarifat e aplikuara të skanimit për deklaratat doganore.

Ndryshimet e bëra konsistonin në uljen e vlerës së tarifës së skanimit për deklaratat doganore. Nga 39 Euro, në 5 Euro për deklaratat doganore nën ose të barabarta me 1000 Euro dhe 22 Euro për deklaratat doganore mbi 1000 Euro.

Objekti i  kësaj kontrate është shmangia e nën raportimeve të deklaratave doganore për efekt të keq klasifikimeve të kodeve, të mallrave, për marrjen e detyrimeve doganore ekzaktësisht për produkte që zhdoganohen, por gjithashtu për forcimin e sigurisë kombëtare, sigurimin e kufijve nga parandalimi i kontrabandës, kryesisht të produkteve të akcizës, të lëndëve narkotike, të produkteve të dëmshme, të armëve, të municioneve, etj.

Referuar numrit të kontenierëve që skanohen në doganat Kapshticë, Morinë, Qafë Thanë dhe Kakavijë, skanohen të gjithë kontenierët që kalojnë nëpërmjet këtyre pikave kufitare, ndërsa në Doganën e Durrësit skanimi i kontenierëve bëhet mbi bazën e profileve të riskut- natyrës së mallit, origjinës etj.

Koncesioni i skanimit  është nënshkruar për një afat prej 15 vitesh dhe mbështetet financiarisht nga buxheti, ku nga 2009-2023, janë paguar në total afro 14.4 miliardë lekë apo rreth 144 milionë euro.

Në përfundim të vitit të 15 të kësaj kontrate, autoritetit kontraktor do t’i kalohet në pronësi sistemi i skanerëve si dhe të tjera pajisje dhe software qe lidhen me shërbimin e skanimit te kontejnerëve te vendosura. Vlera e investimit të kompanisë llogaritet në 2.83 miliardë lekë.

Video