Prodho për vete, tepricën shitja fqinjit. Ligji i ri për energjinë prezanton "klientin aktiv"

24 Prill 2026, 09:27Biznes SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Foto ilustruese

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka gati ligjin e ri për sektorin energjitik. Në relacionin e draftit të hedhur për konsultim publik thuhet se objektivi i dispozitave të propozuara është përafrimi i legjislacionit shqiptar me katër akte ligjore të Bashkimit Europian, që kanë të bëjnë me sektorin energjitik.

Varianti i propozuar prezanton për herë të parë konceptin e klientit aktiv. Sipas projektligjit, klienti aktiv është klienti fundor që jo vetëm konsumon energji elektrike, por edhe e prodhon dhe e shet atë me kusht që prodhimi i energjisë elektrike të mos jetë aktiviteti parësor i tij.

Ligji aktual detyron vetëprodhuesit që tepricën e prodhuar të energjisë ta hedhin vetëm në rrjetin publik. Në projektligjin e propozuar, vetëprodhuesit mund ta shesin atë drejtpërdrejt te klientët e tjerë që janë në të njëjtën vendndodhje me të.

Drafti thotë se përmes konceptit të klientit aktiv, komuniteteve energjetike dhe kontratave me çmime dinamike, krijohen mundësi reale për rritjen e pjesëmarrjes së qytetarëve e bizneseve në treg dhe për decentralizimin e tregut, teksa parashikon edhe rritje të kompetencave të Entit Rregullator të Energjisë.


Video