Bordi shtrenjtoi naftën, ndërsa në bursa çmimi u ul - Shoqata e Bizneseve kërcënon: Do rrisim çmimet dhe do pushojmë punonjësit

22 Prill 2026, 16:12Biznes SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Menjëherë pas vendimit të Bordit të Transparencës për rritjen e çmimit të naftës me 5 lekë ditën e sotme, është bërë një reagim nga shoqatat e biznesit, të cilat kanë kërkuar ndërhyrje prej qeverisë për të frenuar efektet në ekonomi.

Sipas tyre karburanti është një element strategjik për ekonominë dhe rritja e çmimit të tij është duke krijuar një efekt zinxhir në të gjithë sektorët. Duke filluar nga prodhimi te shërbimet, dhe duke sjellë kështu një ulje të fuqisë blerëse si edhe rritjen e kostove të prodhimit dhe dobësimin e konkurrueshmërisë së bizneseve.

Shoqatat e biznesit, i janë drejtuar me 6 kërkesa qeverisë shqiptare, ku më kryesoret janë rishikimi i barës fiskale dhe mbështetja për sektorët më të ekspozuar nga kjo rritje e çmimit të karburanit si transporti, bujqësia apo agropërpunimi dhe shërbimet e fasonerisë dhe turizmi.

Duke propozuar më tej masa afatmesme dhe afatgjata, përfshirë këtu krijimin e rezervave strategjike të naftës, diversifikimin e burimeve të energjisë si edhe investimet në energjinë alternative. Teksa paralajmërojnë se në rast se kërkesat e tyre nuk merren për bazë dhe qeveria nuk ndërhyn, do të ketë rritje çmimesh, mbyllje biznesesh dhe largim punonjësish.

Kërkesat nga Shoqata e Bizneseve:

1. Rishikimi i barrës fiskale

Është e domosdoshme rishikimi i përkohshëm dhe fleksibël i barrës fiskale mbi karburantet. Struktura aktuale e çmimit përfshin një peshë të konsiderueshme taksash, e cila rëndon mbi biznesin dhe konsumatorin. Një ndërhyrje e targetuar do të ndihmonte në stabilizimin e tregut.

Masa të tilla duhet të jenë në linjë me praktikat e vendeve të Bashkimit Evropian, të cilat në periudha krize kanë aplikuar politika fiskale lehtësuese për të zbutur ndikimin mbi ekonominë dhe qytetarët.

2.Transparenca në përcaktimin e çmimit

Mungesa e transparencës në përcaktimin e çmimeve nga strukturat përkatëse mbetet shqetësuese. Kërkojmë publikim të rregullt të strukturës së çmimit; sqarim të faktorëve ndikues (tregjet ndërkombëtare, taksat, marzhet). Transparenca është thelbësore për rikthimin e besimit.

3. Forcimi i kontrollit të tregut

Institucionet duhet të garantojnë konkurrencë të ndershme përmes: monitorimit aktiv të operatorëve; hetimit të çdo rasti të mundshëm abuzimi apo marrëveshjeje të fshehtë si dhe luftës kundër informalitetit.

4. Mbështetje për sektorët më të ekspozuar

Sektorët si: transporti, bujqësia dhe agropërpunimi, industria prodhuese dhe fasoneria shërbimet dhe turizmi janë ndër më të goditurit dhe kërkojnë mbështetje konkrete. Instrumentet lehtësuese janë të domosdoshme për të ruajtur konkurrueshmërinë dhe për të shmangur transferimin e plotë të kostove te konsumatori.

5. Masa afatmesme dhe afatgjata

- Krijimi i rezervave strategjike të naftës për të garantuar sigurinë energjetike në raste krize;

- Diversifikimi i burimeve të energjisë dhe reduktimi i varësisë nga importet;

- Investime në energji alternative dhe rritje të efikasitetit energjetik;

6. Duhet të zhvillohet dialog i hapur, i rregullt dhe zhvillimor mes qeverive dhe biznesit, në mënyrë që masat kundër krizës energjetike të jenë reale, të zbatueshme dhe në funksion të ruajtjes së vendeve të punës, prodhimit dhe investimeve duke garantuar stabilitetin ekonomik dhe social ne hapësirën mbareshqiptare.

Deklarata është nënshkruar nga 12 organizata të biznesit, mes tyre Forumi Ekonomik Mbarëshqiptar, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, Aleanca Kosovare e Bizneseve, Shoqata e Ndërtuesve, Këshilli i Agrobiznesit Shqiptar, Shoqata Kombëtare e Transportit të Udhëtarëve të Shqipërisë, Shoqata Shqiptare e Turizmit, Shoqata e Industrisë Ushqimore Shqiptare, Shoqata e Industrisë së Përpunimit të Qumështit, Shoqata e Bimëve Medicinale, PRO-Eksport Albania dhe Shoqata e Grave Profesioniste, Afariste dhe Zejtare.


Video