Këshilli i Ministrave, i mbledhur këtë të premte, ka marrë vendime lidhur me projekte: hekurudha nga kthesa e Kamzës deri te stacioni në Kashar, Loti I; atë të ndërtimit të tunelit të Llogarasë, si dhe të ndërtimit të terrenve sportive dhe murit rrethuer për shkollat “Mustafa Greblleshi” dhe “Sandër Prosi” në Tiranë.
Projekti “Rrugët paralele me hekurudhën nga kthesa e Kamzës deri tek stacioni hekurudhor në Kashar – loti I”.
Pronarët e prekur do të kompensohen plotësisht për tokat “arë” dhe “truall”, me një fond total prej 1,634,311 lekësh, i cili do të mbulohet nga buxheti i Bashkisë Tiranë. Po ashtu, bashkia do të përballojë edhe shpenzimet procedurale.
Pronarët do të marrin kompensimin pasi të dorëzojnë dokumentacionin e nevojshëm, ndërsa Bashkia Tiranë do të kryejë të gjitha procedurat e pagesës.
Agjencia Shtetërore e Kadastrës do të regjistrojë kalimin e pronësisë dhe do të bllokojë përkohësisht çdo transaksion mbi këto prona deri në përfundim të procesit.
Projekti “Ndërtimi i tunelit të Llogarasë”
Pronarët do të kompensohen plotësisht për tokat e llojit “arë” dhe “kullotë”, me një fond total prej rreth 1.79 milionë lekësh, i cili do të mbulohet nga buxheti i shtetit përmes fondit të shpronësimeve. Shpenzimet procedurale mbulohen nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.
Kompensimi do të jepet pasi pronarët të dorëzojnë dokumentacionin përkatës pranë Agjencisë Shtetërore për Shpronësimin, e cila do të kryejë procedurat e pagesës.
Ndërkohë, Agjencia e Kadastrës do të regjistrojë kalimin e pronësisë në favor të shtetit dhe do të bllokojë përkohësisht çdo transaksion mbi këto prona deri në përfundimin e procesit.
Projekti “Ndërtimi i terreneve sportive dhe muri rrethues për shkollën “Mustafa Greblleshi” dhe “Sandër Prosi””, Bashkia Tiranë.
Pronarët do të kompensohen plotësisht për truallin e prekur, me një fond total prej rreth 62 milionë lekësh, i cili do të përballohet nga Bashkia Tiranë. Po ashtu, bashkia mbulon edhe shpenzimet procedurale.
Pagesat do të kryhen pasi pronarët të dorëzojnë dokumentacionin e nevojshëm, ndërsa për çdo pronë do të kërkohet verifikim i përditësuar nga Kadastra, sidomos në rastet kur ka kufizime apo procese gjyqësore.
Agjencia e Kadastrës do të regjistrojë kalimin e pronësisë në favor të Bashkisë Tiranë dhe do të bllokojë përkohësisht transaksionet mbi këto prona deri në përfundim të procesit.