
Projektbuxheti i vitit 2024 parashikon ndërtimin e hekurudhës Vorë-Hani i Hotit. Sipas të dhënave në projektbuxhet, ndërtimi i hekurudhës 120 kilometër të gjatë do të kushtojë 39.2 miliardë lekë ose rreth 373 milionë euro. Nga këto, për vitin e ardhshëm qeveria ka parashikuar të shpenzojë 3.2 milionë euro si financim për nisjen e projektit, ndërkohë që për 2025-ën, fondi i parashikuar në buxhet rritet në 25 milionë euro.
Hekurudha Vorë-Hani i Hotit do të financohet përmes një paketë mikse donacionesh dhe kredish. Sipas faqes së projektit, 160 milionë euro do të jepen falas nga Bashkimi Europian përmes Kuadrit të Investimeve për Ballkanin Perëndimor. Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim do të financojë 100 milionë euro kredi, ndërsa 100 milionë euro të tjera po kredi do të merren nga Banka Europiane e Investimeve.
Hekurudha Vorë-Hani i Hotit është pjesë e zgjatimit të Rrjetit Kryesor të Transportit Trans-Europian TEN-T në Ballkanin Perëndimor, i cili do të lidhë Shqipërinë me rrjetet hekurudhore rajonale dhe europiane përmes Korridorit X pan-Europian.
Linja ekzistuese hekurudhore Vorë – Hani i Hotit u ndërtua në dy faza: nga Vora në Laç në fillim të viteve 1960, ndërsa nga Laçi deri në kufirin e Shqipëri-Mali i Zi, në vitin 1985.